Shoqata “Pro Art-Simfonik”, mbrëmë në Kumanovë solli koncertin me këngë dhe histori

Shoqata “Pro Art-Simfonik”, mbrëmë në Kumanovë solli edicionin e 9-të cikleve të koncerteve, i cili për herë të parë solli një përvojë unike artistike për publikun vendas, shkruan Portalb.mk.

Ky koncert solli emocione te publiku, sepse muzika dhe historia u gërshetuan në mënyrë të paharrueshme përmes zërit të fuqishëm dhe prekës të sopranos së njohur Besarta Murtezani, e shoqëruar nga Ansambli “Dardanus”.

Për herë te parë ky koncert solli tingujt e lashtë arbëreshë, me meloditë e pasura të trevës së Shkodrës, një udhëtim i ndjerë përmes kujtesës, gjuhës dhe krenarisë kombëtare.

Pamje nga koncerti. Foto: Orhan Shaqiri (facebook)
Pamje nga koncerti. Foto: Orhan Shaqiri (facebook)

Orhan Shaqiri, drejtues i shoqatës “Pro Art-Simfonik”, për  Portalb.mk tha se mbrëmë sollën risi në ciklin e koncerteve me këngë arbëreshe dhe me këngë shkodrane.

“Nuk ishte vetëm thjeshtë koncert ka qenë rrugëtim, ka qenë emocion plotë, shëtitëm emocionalisht e shpirtërisht nëpër lagjet e arbëreshëve të Italisë, u ndalëm në Shkodër, ecëm këndej trevave tona në Maqedoninë e Veriut, ka qenë koncert plus histori. Ne mendojmë se publiku është ndarë nga ne tepër i kënaqur. Ovacionet në fund të koncertit e tregonin kënaqësinë e publikut”, tha Shaqiri.

Pamje nga koncerti. Foto: Orhan Shaqiri (facebook)
Pamje nga koncerti. Foto: Orhan Shaqiri (facebook)

Shaqiri edhe më tej shtoi se duke e parë interesin e publikut do vazhdojnë të sjellin muzikë të mirëfilltë artistike shqiptare.

“Ne si shoqatë që mbrëmë e pamë që ky fenomen që ndodhi, edhe kjo kërkesë nga publiku, pamë që duhet të përqëndrohemi dhe në këtë aspekt d.m.th. të sjellim muzikë të mirëfilltë artistike shqiptare”, tha Shaqiri.

Ky projekt u realizua me mbështetjen financiare të Komunës së Kumanovës, në bashkëpunim me Këshillin Komunal, si dhe me ndihmën e disa partnerëve.