Shkup, autobusët e qytetit nuk do të qarkullojnë të hënën edhe pse ka seancë të jashtëzakonshme të Këshillit

Sindikata e Ndërmarrjes së Transportit Publik (NTP) deklaroi se autobusët e qytetit në Shkup nuk do të dalin në qarkullim të hënën pavarësisht seancës së paraparë të Këshillit, kurse nesër do të shqyrtohet mundësia që të funksionojë vetëm një autobus nga secila linjë për të bërë transportin e nxënësve, duke qenë se do të jetë dita e parë e gjysëmvjetorit të dytë shkollor, shkruan 360 Gradë.

Paga e papaguar e muajit dhjetor ka ngritur në këmbë Sindikatën dhe punëtorët e Ndërmarrjes së Transportit Publik të Shkupit, dhe për pasojë autobusët e NTP-së nga e hëna nuk do të qarkullojnë nëpër rrugët e Shkupit. Kryetari i Sindikatës, Miço Stojanovski, tha se i qëndrojnë vendimit që të hënën të mos ketë transport publik, edhe pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, në të cilën e vetmja pikë e rendit të ditës është votimi për subvencionet prej 11 milionë eurosh për kompaninë.

“Të hënën në mëngjes nga ora 04:30 asnjë autobus nuk do të largohet nga bazat e kompanisë. Nëse do të ishte e rëndësishme që 45 këshilltarët e Qytetit të Shkupit të marrin vendim për subvencionet për NTP-në, këtë mund ta bënin dje dhe sot. Kërkojmë pagë për muajin dhjetor dhe pagesë të rregullt të pagave për vitin 2024”, tha Stojanovski.

Ai tha se nesër do të shqyrtohet mundësia e vënies në qarkullim të një autobusi nga të gjitha linjat për transportin e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, duke pasur parasysh se gjysmëvjetori i dytë fillon të hënën. I pyetur se a do të lëshohen në funksion autobusët nëse në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit do të vendoset për subvencione, Stojanovski tha se procedura është e paqartë sepse nuk dihet se kur do të lëshohen ato para në llogarinë e kompanisë dhe kur do të merren pagat.

“Nëse vendimi merret të hënën në një kohë të arsyeshme, që paratë të shkojnë në në kohë në llogarinë e kompanisë, të martën do të ketë transport publik. Ndryshe autobusët e NTP-së nuk do të lëvizin as të martën”, tha Stojanovski.

Qyteti i Shkupit para një viti e gjysmë për herë të parë në historinë e tij mbeti pa transport publik sepse edhe atëherë edhe tani punëtorët ishin në grevë për shkak të pagave të papaguara. Më pas, pas ndërprerjes njëditore të komunikacionit, Këshilli i Qytetit të Shkupit transferoi paratë në llogarinë e NTP-së, pas së cilës protesta u ndërprere.

Më pas, kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, fajësoi edhe qendrën dhe një pjesë të pushtetit lokal për mungesën e mjeteve për funksionimin normal të Ndërmarrjes së Transportit Publik, si dhe për “sabotimin” e projektit të transportit publik falas.