Të punësuarit në transportin publik mund të mbesin pa rroga, paralajmëroi drejtori i NQP “Shkup”

Drejtori i Ndërmarrjes për Qarkullim Publik “Shkup”, Kërste Petrevski, ka paralajmëruar që punonjësit e kësaj ndërmarrje do të mund të mbesin pa rroga për shkak Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së në Qytetin e Shkupit, transmeton Portalb.mk.

“Dy vjet me radhë, këshilltarët e VMRO-DPMNE-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit, e kanë bllokuar vendimin për blerjen e autobusëve të rinj për NQP”, deklaroi drejtori.

Ai theksoi që interesat partiake për këta njerëz janë më të rëndësishëm sesa interesat e votuesve të tyre, duke rrezikuar rrogat e të punësuarve me qëllim krijimin e krizës në transportin publik.

“Tre vjet me radhë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk i ka paguar mjetet për transportin falas për studentët. Qeveria në këtë moment, Ndërmarrjes i ka borxh 360 milionë denarë për shërbimin që del nga vendimi i Qeverisë së njëjtë, ndërsa Ndërmarrje komplet e ka realizuar”, deklaroi drejtori.

Kujtojmë që në tetor të vitit të kaluar, punëtorët e NQP-së protestuan për shkak të rrogave të papaguara. Për herë të parë në historinë e tij që kur ka transport publik, kryeqyteti mbeti pa transport publik.  Një ditë më vonë autobusët e NQP-së janë u rkithyen në rrugë pasi Qyteti i Shkupit siguroi rrogat, konkretisht rreth 2 milionë euro u ridestinuan nga projektet tjera nga buxheti i Qytetit të Shkupit për pagat në NQP “Shkup”. Ndërkaq, kryetarja e Danella Arsovska pati kërkuar të shlyhen borxhet e të gjitha institucioneve që i kanë borxh ndërmarrjes.

Protesta e paralajmëruar nga të punësuarit e Ndërmarrjes Qarkulluese (Transportuese) Publike në Shkup u anuluan pasi ata e morën rrogën për muajin korrik.