Shkupit i kanoset ndërprerja e transportit publik, NTP nuk ka marrë subvencione të reja

A do të ketë edhe një ndalesë në transportin publik të Shkupit dhe paga të papaguara të punëtorëve të NTP-Shkup? Këshilli i Qytetit të Shkupit sot nuk e ka miratuar vendimin për ndarjen e subvencioneve shtesë për NTP-në në vlerë prej 110 milionë denarë, për shkak se këshilltarët e VMRO-DPMNE-së edhe pse ishin të pranishëm në seancë, nuk votuan për këtë vendim duke bërë që i njëjti të mos miratohej. Për ndarjen e subvencioneve për NTP-Shkup, 22 këshilltarë votuan “PËR”, transmeton Portalb.mk.

Drejtori i NTP-Shkup, Kërste Petrevski, para votimit paralajmëroi se nëse këshilltarët e qytetit nuk e mbështesin vendimin për subvencione të NTP-Shkup, do të shkaktojnë ndërprerje të transportit publik në Shkup, ndërsa punëtorët do të mbeten pa paga.

Ai ka sqaruar se shpenzimet kryesore të ndërmarrjes publike këtë vit janë nafta, për të cilën deri në fund të vitit 2023 do të shpenzohen 480 milionë denarë. Për derivatin e metanit janë planifikuar 110 milionë denarë, ndërsa me të njëjtën shumë parashihet shlyerja e obligimeve të kredisë për autobusët e rinj MAN që janë blerë para disa vitesh. Petrevski tha se për kryerjen e shërbimeve të transportuesve privatë këtë vit duhet të ndahen 340 milionë denarë.

“Pa ndihmën e subvencioneve të Qytetit të Shkupit, ndërmarrja është e ekspozuar në një situatë të vështirë. Do të ketë problem për funksionimin normal, sepse të ardhurat nga të hyrat vetanake të kompanisë janë diku rreth 930 milionë denarë në vit”, tha drejtori i NTP-së.

Ai shtoi se nuk i kanë marrë mjetet e premtuara prej 360 milionë denarë nga qeveria, të cilat janë të destinuara për mbulimin e shpenzimeve për transport falas për kategori të ndryshme të qytetarëve. Është premtuar se janë përfshirë në ribalancimin e buxhetit, por fondet e NTP-së nuk janë paguar nga qeveria. Shpenzimet e NTP-së janë parashikuar në mbi 2 miliardë denarë në vit.

Goran Shutarov nga grupi i këshilltrëve të LSDM-së deklaroi se grupi i tyre do ta mbështesë vendimin për subvencione shtesë prej 110 milionë denarë për NTP-Shkup nga Qyteti i Shkupit dhe theksoi se edhe më herët e kanë dhënë mbështetjen e tyre.

“Nuk duam që qytetarët që përdorin transportin publik – nxënësit, gjimnazistët dhe kategoritë e tjera të qytetarëve që lëvizin me transport publik, të ndodhë e njëjta situatë ku NTP të ndalojë së kryeri shërbimet për të cilat është themeluar”, tha Shutarov nga LSDM. 

Këshilltarja nga koalicioni VMRO-DPMNE, Malisha Stankoviq, deklaroi se nuk pajtohet me deklaratën e drejtorit të NTP-së se Këshilli i Qytetit të Shkupit po e pengon punën e NTP-Shkup.

Stankoviq përkujtoi se pas marrjes së mandateve si këshilltarë, një nga pikat e para të rendit të ditës ishin raportet për gjendjen e ndërmarrjeve publike. Ai thotë se edhe sot në raportet nga NTP-Shkup nuk mund të shihet saktësisht se ku shkojnë dhe si shpenzohen mjetet e siguruara.

Malisha Stankoviq ia ka kujtuar kryetarit se më 12 dhjetor të vitit të kaluar Këshilli ka marrë vendim që të dorëzojë raport për funksionimin e përgjithshëm të NTP – Shkup, dhe më pas si Këshill kanë dhënë afat prej shtatë ditësh që ai raport të dorëzohet. Këshilltarët nuk e kanë marrë këtë raport, i pakënaqur ka reaguar këshilltari Stankoviq.

Kujtojmë se edhe në mbledhjen e 6 tetorit këshilltarët në Këshillin e Qytetit të Shkupit nuk e votuan kërkesën e kryetares Danela Arsovska për ndarjen e 1,8 milionë eurove të reja për ndërmarrjen që transporti publik të funksionojë pa probleme.