Shkolla ‘Kiro Gligorov’ nga Shkupi fitoi çmim nga Ministria e Jashtme e Austrisë
Ministria e Punëve të Jashtme e Austrisë e ka vlerësuar shkollën fillore “Kiro Gligorov” nga Shkupi për projektin e edukimit mediatik “Mic & Pen: Kids Tell It Best / Youth Think”, transmeton Portalb.mk.
Më 24 nëntor 2025, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë u nda për të dymbëdhjetën herë Çmimi Intercultural Achievement Award. Ky çmim nderon projektet e shoqërisë civile që kontribuojnë në dialogun ndërkulturor dhe ndërfetar, duke ndërtuar ura mes kulturave, feve dhe shoqërive.
“Ne jetojmë në një kohë të ndryshimeve të thella globale. Në një botë të tillë, dialogu nuk është luks – ai është domosdoshmëri. Ai krijon besim aty ku mosbesimi rritet, dhe mirëkuptim aty ku frika ndan njerëzit”, theksoi Sekretari i Shtetit Sepp Schellhorn gjatë ndarjes së çmimeve.
Në kategorinë “Media”, shkolla fillore “Kiro Gligorov” nga Shkupi u vlerësua për projektin “Mic & Pen: Kids Tell It Best / Youth Think”, i cili promovon edukimin mediatik, mendimin kritik dhe të nxënit ndërkulturor për nxënës të moshës 10 deri në 14 vjeç.
Projekti është zbatuar që nga nëntori 2023 në shkolla të përzgjedhura dhe synon krijimin e klubeve mediatike, në të cilat fëmijët dhe të rinjtë fitojnë aftësi gazetareske dhe shprehen përmes formateve si artikuj, intervista dhe podkaste. Duke kombinuar median tradicionale, si gazetat shkollore me mjete digjitale si podkastet, iniciativa forcon kreativitetin digjital dhe kompetencat komunikuese. Nxënësit trajtojnë tema të tilla si kultura, të drejtat e njeriut, diversiteti dhe feja, duke i parë ato nga perspektiva të ndryshme.
Fokus i veçantë i kushtohet nxitjes së dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar: të rinjtë hulumtojnë zakone, festa dhe vlera të komuniteteve të ndryshme dhe paraqesin rezultatet e tyre, duke nxitur kështu kureshtjen, respektin dhe tolerancën, kompetenca kyçe në një shoqëri të larmishme.
Në të njëjtën kohë, projekti u mëson atyre aftësi për vlerësimin kritik të informacionit dhe njohjen e dezinformimit dhe mashtrimeve digjitale. Përmes punës praktike mediatike dhe diskutimeve të reflektuara, nxënësit aftësohen të lëvizin në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme në botën digjitale.
Me integrimin e qëndrueshëm të klubeve mediatike në jetën shkollore, “Mic & Pen: Kids Tell It Best / Youth Think” gjeneron ndikim afatgjatë dhe ofron një qasje bashkëkohore e të angazhuar për edukimin mediatik dhe të nxënit social.
Çmimi Intercultural Achievement Award jepet në partneritet shumëvjeçar të Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare me Kancelarin Federale, Fondin e së Ardhmes së Republikës së Austrisë, Agjencinë Austriake për Zhvillim dhe Fondin Austriak për Integrim.