SHGM: Policët kanë vepruar në mënyrë joprofesionale me gazetarin e Portalb.mk

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) do të dorëzojë ankesë deri te Ministria e Punëve të Brendshme për pengesë të gazetarit gjatë kryerjes së punës profesionale nga ana e zyrtarëve policorë.

Nga SHMG, thonë se mbrëmë, gjatë protestës ë të punësuarve të NP Higjiena Komunale Shkup, gazetari Suad Bajrami nga Portalb.mk nuk ka pasur mundësi ta kryejë detyrën e tij të punës, gjegjësisht të incizojë në momentin kur ka intervenuar njësiti special. Sipas paraqitjes në SHGM, nga ana e kolegut Bajrami, ai mbrëmë ka qenë i pranishëm në hapësirë publike në rrethin e NP Higjiena Komunale që të raportojë për temën aktuale, por nuk ka mundur ta kryejë punën pasi që zyrtarët të caktuar policorë janë sjellë në mënyrë joprofesionale ndaj tij, gjegjësisht e kanë penguar ta kryejë punën.

“Zyrtarët policorë më larguan anash nën arsyetimin se atje është perimetri i sigurisë, edhe pse unë u tregova disa herë se në vendin ku më urdhëruan të shkoj nuk kisha pamje të mirë për të incizuar”, thotë Bajrami.

SHGM vlerëson se me këtë veprim, zyrtarët policorë nuk janë sjellë në mënyrë profesionale dhe e kanë shkelur të drejtën e gazetarit të raportojë nga hapësira publike për tema të cilat janë në interes të qytetarëve.

SHGM si organizatë esnafe i cili i mbron të drejtat dhe interesat e gazetarëve dhe punëtorëve mediatik në vend, i jep mbështetje të plotë kolegut Bajrami dhe në konsultim me ekipin e avokatëve do të dorëzohet ankesë në Sektorin për Kontroll të Brendshëm dhe Standarde profesionale në MPB.

LEXO: Policia pengoi gazetarin e Portalbit të xhirojë pamjet kur ata u vërsulën ndaj protestuesve të “Higjienës Komunale”