Shfaqja “Gërrdia” solli në ‘Skupi Festival’ rrëfimin për traumat dhe heshtjen

Shfaqja “Gërrdia” e Teatrit Kombëtar të Kosovës u luajt mbrëmë në Teatrin Shqiptar në Shkup, në kuadër të edicionit të 20-të jubilar të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skupi Festival”. Me tekst dhe regji të Astrit Kabashit, shfaqja solli një rrëfim për traumën, heshtjen dhe pasojat e së kaluarës në jetën e individit. Në të interpretuan aktorët Bujar Ahmeti, Majlinda Kosumoviq dhe Rebeka Qena, shkruan Portalb.mk.

Majlinda Kosumoviq, në një deklaratë për Portalb.mk, tha se shfaqja sjell historinë e një çifti që, në pamje të parë, jeton i lumtur, pa probleme dhe në harmoni të plotë.

“Unë luaj Benën, bashkëshorten e Lekës, personazhit kryesor. Shfaqja sjell historinë e një çifti që, në pamje të parë, jeton i lumtur, pa probleme dhe në harmoni të plotë. Por, dalëngadalë, dalin në pah probleme dhe të vërteta që ata nuk i kanë ditur për njëri-tjetrin. Në fund, lind dyshimi nëse janë njohur ndonjëherë me të vërtetë. Leka i ka mbajtur sekrete Benës, duke menduar se kështu do ta ruante marrëdhënien e tyre. Mirëpo, zbulohet se ata nuk e njohin njëri-tjetrin aq mirë sa kanë besuar. Shfaqja është e shkurtër, ndërthur komedinë me dramën dhe ka një dinamikë të vazhdueshme, me lëvizje e zhvillime që e mbajnë gjallë ngjarjen. Fundi është i papritur dhe zakonisht e befason publikun”, tha Kosumoviq.

Fotografi nga shfaqja “Gërrdia”. Foto: Portalb.mk
Fotografi nga shfaqja “Gërrdia”. Foto: Portalb.mk

“Shumë çifte nuk e njohin vërtet njëri-tjetrin”, thotë ajo, e pyetur nga Portalb nëse shumë çifte jetojnë një marrëdhënie të tillë.

“Besoj se po. Ndoshta jo në të njëjtën mënyrë apo në të njëjtat rrethana, por mendoj se shumë çifte nuk e njohin vërtet njëri-tjetrin. Mund të qëndrojnë bashkë për shkak të traditës, rrethanave shoqërore apo sepse në disa aspekte përshtaten me njëri-tjetrin. Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se njihen thellësisht apo se ndihen plotësisht mirë në marrëdhënien e tyre. Ndonjëherë, njerëzit vazhdojnë të jetojnë bashkë pa e kuptuar sa shumë gjëra ende nuk dinë për njeriun që kanë pranë”, tha Kosumoviq.

Në qendër të ngjarjes është Leka, një profesor historie, të cilin e interpreton Bujar Ahmeti. Rrëfimi nis nga fëmijëria, me humbjen e nënës dhe kujtimet për të atin, i mbetur vetëm. Leka e kujton të ulur në kolltuk pranë televizorit, me telekomandë në dorë, ndërsa përshkruan përkeqësimin e shëndetit të tij dhe pritjen e gjatë të fundit të jetës.

Një pjesë tjetër e shfaqjes zhvillohet përmes marrëdhënies bashkëshortore me Benën, të interpretuar nga Majlinda Kosumoviq. Përditshmëria e çiftit zbulon gradualisht tensionet dhe vështirësitë në komunikim, ndërsa përballja e Lekës me kujtimet ndikon gjithnjë e më shumë në jetën e tyre.

Gjendja e tij emocionale trajtohet edhe në bisedat me mjeken, rol që e luan Rebeka Qena. Si profesor historie, ai i rrëfen asaj edhe momentin kur është shkrehur në vaj para nxënësve, duke zbuluar se vuajtja e tij ka depërtuar edhe në jetën profesionale.

Fotografi nga shfaqja “Gërrdia”. Foto: Portalb.mk
Fotografi nga shfaqja “Gërrdia”. Foto: Portalb.mk

Problemet që në fillim duken si shqetësime të zakonshme marrin një tjetër kuptim në vijim të shfaqjes. Zbulimi i traumave hedh dritë mbi sjelljen e Lekës dhe përçarjet në marrëdhëniet me njerëzit e afërt. Rrëfimi dramatik ndërthuret herë pas here me ngjyrime komike, që burojnë nga mënyra se si personazhi i përjeton dhe i përcjell kujtimet.

Aktori Bujar Ahmeti, në një prononcim për Portalb.mk, foli për pjesëmarrjen në festival dhe rolin e tij në shfaqjen “Gërrdia”.

“Është hera e tretë që marr pjesë në këtë festival. Për mua, bashkëpunimi mes teatrove të rajonit ka rëndësi të veçantë dhe më vjen mirë që edhe Teatri Kombëtar i Kosovës është pjesë e këtij festivali”, tha Ahmeti.

I pyetur për rolin e tij dhe sfidat e realizimit, ai shpjegoi se personazhi mbart një traumë që nga fëmijëria.

“Bëhet fjalë për një djalë që është rritur i përkëdhelur dhe ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes së familjes, pasi ishte djali i vetëm. Pasojat e kësaj mënyre të rritjes shfaqen më vonë gjatë shfaqjes”, u shpreh ai.

Fotografi nga shfaqja “Gërrdia”. Foto: Portalb.mk
Fotografi nga shfaqja “Gërrdia”. Foto: Portalb.mk

“Skupi Festival” vazhdon sonte me dy shfaqje në Teatrin Shqiptar në Shkup. Në orën 20:00 do të luhet “Gjërat që nuk thuhen”, e autores Maria Ivanov, me regji të Ana Batevës dhe interpretim të Elena Frunze-Hartman. Produksioni është i Teatrit “Aleksej Matejeviç” nga Moldavia.

Nga ora 21:00, në program është shfaqja nga Maqedonia e Veriut, “First Person Singular”, në shqip “Veta e parë njëjës”, me aktoren Vladanka Krstevski dhe regji të Dragana Gounin.