Polici në Maqedoni falsifikoi vërtetime për dhurim gjaku për të përfituar pushim të paguar nga puna
Departamenti për Kontroll të Brendshëm pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) kundër A.A., i punësuar në Departamentin për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve të Caktuara pranë MPB-së, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve, transmeton Portalb.mk.
Sipas kallëzimit, i punësuari në dy raste gjatë këtij viti, më 3 mars dhe më 9 korrik, ka përpiluar dhe përdorur vërtetime të falsifikuara për dhurim gjaku, ndonëse nuk kishte dhuruar fare gjak në Institutin e Mjekësisë Transfuzive, në kompleksin e klinikave “Nëna Terezë” në Shkup.
Në bazë të vërtetimeve të falsifikuara, ai ka përpiluar edhe dy kërkesa për shfrytëzimin e tri ditëve të pushimit të paguar, për datat 3, 4 dhe 5 mars, si dhe 9, 10 dhe 13 korrik, të cilat më pas i ka shfrytëzuar.
“Departamenti për Kontroll të Brendshëm do të paraqesë propozim për nisjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë ndaj A.A. për shkelje të rendit të punës dhe disiplinës”, njoftuan nga MPB-ja.