Iku i bekuari. Ramazani: muaji i zgjedhur, i dalluar. Muaji që kohësisht besimtarin e largon nga rutina e jetës botësore dhe e kalon në ndjesi tejfizike, që përbën një ndërhyrje hyjnore te individi dhe në shoqëri përmes elementit kohë (ditë të caktuara). Një rigjallërim trupor dhe mendor. Ky sihariq apo dhuratë revolucionare njëmujore është një përkujtim se njeriu kohë pas kohe duhet kthyer në cilësimet e tij fillestare (fabric settings), se më pas duhet tentuar maksimalisht të ruash atë kurs të dëlirësisë edhe në pjesën tjetër të vitit dhe të jetës. Në këtë treg të vlerave shumëpërmasore çdokush merr aq sa do. Dikush del i pasur, dikush mbetet me atë që ka zotëruar deri natën e parë të këtij muaji “të shenjtë”. Dikush e sheh bereqetin e ofruar, dikush mbyll sytë, nuk vëren dinamizmin e frymës së kohës.
Për besimtarin, kjo periudhë shërben si një kohë e vyer reflektimi dhe si një leksion i lartë metafizik. Përtej përjetimit shpirtëror, ky cikël 29-ditor na ka shërbyer edhe si një dritare vëzhgimi mbi dinamikat që u zhvilluan brenda kësaj klime spirituale. Disa nga këto sekuenca dhe reflektime mbi ngjarjet që na rrethojnë, kemi zgjedhur t’i ndajmë me lexuesit përmes dy shkrimeve të radhës.
Dita 1. Urime të shumta vendore dhe të largëta për Ramazanin në hapësirën virtuale. Një shenjë respekti dhe kohezioni i besimtarëve. U përgjigjemi shkruesve, ndërkohë që bëjmë ‘matjet’ e fundit për t’i përmbyllur notat e studentëve që pas përpjekjes njësemestrale presin evaluimin që nuk është vetëm kuantitativ po edhe konfirmim i evoluimit të tyre akademik. Nota shpesh nuk mat vetëm inteligjencën, por konsistencën, disiplinën dhe aftësinë për të përmbushur afatet. Gëzohemi kur vërejmë se edhe në kontekstin e IA-së që ofron gjithçka të gatshme, kemi të rinj që mendojnë, që shpërfaqin kriticizëm, shkathtësi analitike që do iu hapin rrugë të shumta në jetë. Ndërkohë mendojmë për mësimdhënësin e të ardhmes (2050 e përtej), fjalët kyçe: digital-first education, cognitive coach, holographic ezel, AI sub-tutors, brain-to-brain learning… Profesori, në vitin 1950: urtar (the sage), në vitin 2026: udhëzues (the guide), në vitin 2050: arkitekt (the architect). Do të ndryshojë edhe fokusi: informimi, fasilitimi & tech, transformimi kognitiv.
Dita 3: Me të përfunduar të lutjes së xhumasë takojmë mikun S. Pyetëm njëri-tjetrin për gjendje e shnet, nisëm disa mini-tema, nga “motivi” i mbeturinave para këmbëve, papërgjejësive e rrëmujës në trafik, duke analizuar peripatetikisht deformimet, çrregullimet e tjera në hapësirat tona jetike. Konkluzioni i tij: “S’ka shtet në botë që mund të vë nga një polic në krye të çdo qytetari. Ndërtimi i shoqërisë duhet të fillojë nga individi, prej poshtë jo prej lartë. Përderisa nuk e kultivojmë si duhet atë, kot e kemi. Do jetë në krizë lagjja, shkolla, politika(ni), institucionet…”
Dita 8: “Çfarë është kjo punë me këta punëtorët shqiptarë-myslimanë të institucionit tonë? Si thua ti si besimtar” – pyet Janko. “Të gjithë vijnë vonë dhe dalin pa pyetur kë nga vendi i punës qysh në ora 14:30, a iftari është shumë më vonë. Edhe deri atëherë bëjnë gjumë jo punë?” Çfarë t’i thotë Ahmedi: “Është keqkuptim dhe keqinterpretim i Ramazanit. Ky nuk është muaj i dembelisë, por i disiplinës së pasioneve. Puna është pjesë e pandashme e përditshmërisë edhe në Ramazan.” Sa keq. Duhet të bësh apologjinë e thelbit të fesë në një kontekst të fetarisë së deformuar. Edhe besimtar edhe hileqar, nuk shkon. Edhe më keq kur streha apo preteksti është feja-riti fetar.
Dita 12: S’di pse ama këto ilahitë, me muzikën/zërimin dhe tekstin që po emetohen duken tepër deprimuese. E kemi thënë edhe ne edhe të tjerë shumë herë. Ama në kohë të lumturisë dhe kënaqësisë së agjërimit, n’radio e TV stacione, n’youtube, në rrjete sociale gjithandej kjo frymë. Vdekja, kurbeti dhe nëna. Trilogjia e temave të atmosferës dëshpëruese. “Mu trash gjuha e mu tha, trupi akull mu ka ba…”, “Ah moj jetë”, “O njeri o gabimtar”, “E sa herë gabova”, “Gjunahet m’kanë mblu”, “Kurbeti”, “Sofra pa nanën”, “Sofra thatë…”, “Jetimi”… Në aspektin e psikologjisë së fesë përpos që fuqizojnë besimin n’përgjegjësi këtu (n’dynja) për shkak të llogaridhënies atje (ahiret), respekt ndaj prindërve, krijojnë edhe atmosferë të defetizmit, shpresëthyerjes… Duket se tekstshkruesit – po edhe ekzekutuesit muzikorë të tyre – kanë një perceptim shumë në kundërshtim me porosinë profetike: “Përgëzoni, mos tmerroni!” Islami përmes artit auditiv të këngëve spirtërore është shndërruar në “fe të frikësimit”. Thua se s’ka vlera që ta bëjnë ditën pranverë, që të ngjallin shpresë, optimizëm, vetëbesim!? /vazhdon/
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.