Dita Botërore e Shëndetit: 20 vjet më parë kishte 18.000 mjekë, tani janë rreth 6.000

Pacientët ende nuk kanë qasje në barna nga lista e re e azhurnuar pozitive, e cila tashmë dy vite po paralajmërohet. Personat me diabet thonë se nëse terapia kundër diabetit më parë u ka kushtuar 70 euro në muaj, tani për atë duhet të paguajnë 120 euro. Pacientet, nga ana tjetër, vazhdojnë të hasin në vështirësi për të caktuar një termin për mamografi dhe eko të gjirit, pasi në “Termini im” nuk ka termine të lira. Nëse në vendin tonë 20 vjet më parë kishte 18.000 mjekë, tani numri i tyre është 6.000 sepse të moshuarit largohen sepse pensionohen, ndërsa të rinjtë – nga shteti, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

E këtillë është pasqyra e shëndetësisë në Maqedoni sot kur shënohet Dita Botërore e Shëndetit. Të gjithë janë në pritje të barnave të reja në listën pozitive për të cilat po paralajmërohet prej kohësh, në pritje të termineve, në pritje të mjekëve të rinj.

Terapi kundër diabetit ka, por pacientët e paguajnë atë privatisht

Edhe pse disa herë protestuan duke kërkuar glukometra dhe shirita të terapisë kundër diabetit, personat me diabet ende hasin në probleme. Dime Velev, kryetar i Unionit të shoqatave të personave me diabet në Maqedoni, thotë se edhe përkundër takimeve me autoritetet, ende ka çështje të hapura dhe të pazgjidhura.

“Ne nuk kishim shirita dhe glukometra, kështu që është e paqartë se si do të kompensohet dëmi që pasuam kur i blinim nga xhepi. Ministria nuk u përgjigjet nevojave të pacientëve. Terapia tashmë është e disponueshme në tregun e hapur, por barnat duhet t’i blejmë privatisht sepse nuk janë në listën pozitive. Kemi një bar që bën pjesë në terapinë kundër diabetit, është në dispozicion për 3.000 persona të cilëve u është dhënë me recetë, por 1.500 prej tyre duhet ta blejnë privatisht. As këtu shteti nuk ndërhyn”, thotë Velev.

Me terapitë e reja që i kërkojnë njerëzit, çmimet po rriten gjithnjë e më shumë. Velev thotë se një personi me diabet i nevojiten 120 euro për të blerë barnat e nevojshme, ndërsa më parë për ato ka shpenzuar 70 euro në muaj. Përndryshe, në vendin tonë ka rreth 135 mijë persona me diabet.

Pacientët presin nëntë barna të reja në listën pozitive

Meta.mk pyeti autoritetet se deri ku është procesi i azhurnimit të listës pozitive të barnave, për të cilën kishte njoftime se do të azhurnohej pikërisht tani, në muajin prill. Për momentin po pritet një vendim që në listën pozitive të shtohen nëntë barna gjenerike, azhurnimi i së cilës nuk është bërë që prej 13 vitesh. Azhurnimi i saj duhet të sigurojë terapi më inovative dhe efektive për pacientët.

“Bëhet fjalë për barna që tashmë një periudhë të gjatë kohore janë në treg, ndërsa janë të destinuara për trajtimin e hipertensionit, insuficiencës kardiake, parandalimin e arterotrombozës, sëmundjes Alzheimer, depresionit dhe ankthit. Komisioni i ekspertëve për listën pozitive të barnave ka dorëzuar propozim pranë Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për përcaktimin e barnave të reja në listën primare të barnave. Propozimi përmban edhe nutritient të destinuar për kaheksi tumorale, i cili tashmë është në listën spitalore të barnave, për të cilin është kërkuar nga kompania që të kalojë në listën primare”, njoftojnë për Meta.mk nga Ministria e Shëndetësisë.

Vendimin përfundimtar, varësisht nga ajo se sa para janë në dispozicion për barna, duhet ta marrë Këshilli Drejtues i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Dinamika e ndryshimeve në listën e barnave ishte planifikuar të jetë dy herë në vit, pra në muajin prill dhe muajin tetor.

Dr. Dimitrov: Po largohen një e treta e gjinekologëve që përfundojnë specializimin

Mjeku Goran Dimitrov nga Klinika e Gjinekologjisë dhe kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë, thotë se për momentin në vendin tonë ka rreth 6.000 mjekë, por se ky numër ndryshon.

“Ashtu është, të rinjtë po largohen jashtë shtetit. Fillojnë tek ne, por pastaj largohen. Një e treta e specialistëve të gjinekologjisë që përfundojnë specializimin largohen. Pagat dhe kushtet tek ne janë këto që janë. Por nëse gjejnë një specializim të mirë, nëse kalojnë testin e gjuhës, largohen. Ka të rinj, por numri është në rënie, ndërkohë që duhet të rritet. 20 vjet më parë kishim 18.000 mjekë, tani kemi 6.000. Se si të zgjidhet kjo punë, kjo është detyrë e administratës shtetërore, e autoriteteve”, thotë doktor Dimitrov.

Kontaktuam edhe me profesorët në shkollat ​​e gjuhëve të huaja që japin leksione të gjuhës gjermane dhe i pyetëm nëse punojnë me punonjës shëndetësorë. Kate Dimitrievska, profesoreshë dhe përkthyese e gjuhës gjermane nga shkolla private e gjuhëve të huaja “Starhouse”, thotë se më së shumti punon me infermierë, teknikë të rëntgenit dhe mjekë.

“Deri para disa vitesh nuk kishte kufi moshe, infermierja më e vjetër që e kam përgatitur për gjuhën gjermane ishte 59 vjet. Tre vjet më parë, ata vendosën një kufi moshe deri në 45 vjet. Që nga fundi i arsimit të mesëm të rinjtë fillojnë të studiojnë gjuhën gjermane që të mund të shkojnë dhe të punojnë në Gjermani menjëherë pas diplomimit. Mirëpo, shumica e atyre që mësojnë gjermanisht për t’u larguar janë rreth 30 vjet. Për fat të keq numri i atyre që mësojnë gjermanisht është i madh, tendenca për të kërkuar punë jashtë vendit është në rritje”, thotë Dimitrievska.

B1 është niveli i detyrueshëm dhe pa të mjekët nuk mund të marrin vizë. Për ta nostrifikuar diplomën duhet të kalojnë nivelin B2, por kjo bëhet kryesisht në Gjermani.

“Në mesin e atyre që largohen më së shumti ka infermiere, më pas teknikë të rëntgenit, ndërsa ka edhe mjekë që kanë punuar në Ndihmën e shpejtë apo në Qendrat e urgjencës. Deri para disa vitesh largoheshin vetëm punonjësit shëndetësorë nga shëndetësia publike, por viteve të fundit po largohen edhe ato nga spitalet private”, shpjegon profesoresha Dimitrievska.