Qeveria e RMV-së ka vendosur që problemin me specializantët ta zgjidhë pas zgjedhjeve

Qeveria në seancën e djeshme shqyrtoi informacionin e Ministrisë së Shëndetësisë për mjekët specialistë, të cilët e paguajnë specializimin me mjetet e tyre, dhe që janë të punësuar me kontratë në klinikën universitare ku kryejnë specializimin, transmeton Portalb.mk.

“Duke marrë parasysh rëndësinë për specializantët, por edhe për qytetarët dhe për sistemin shëndetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për zgjidhjen e plotë të statusit të tyre, Qeveria ka marrë vendim, në përputhje me ligjin dhe menjëherë pas zgjedhjet, të përgatisë një propozim për zgjidhje ligjore që do të parashikojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre të përgjithshme. Qeveria, në bashkëpunim aktiv me specializantët, deri tani ka shfaqur një shqetësim të madh për avancimin e statusit të tyre dhe është e vendosur të vazhdojë në këtë drejtim, për të zgjidhur të gjitha çështjet me interes të tyre dhe publik, në funksion të shëndetit të qytetarëve“, njoftuan nga Qeveria.

Siç u tha në seancë, në vitin 2018, specializantët privatë u paguan për herë të parë për punën e tyre në shumën e pagës mesatare të një mjeku të përgjithshëm, duke qenë se deri atëherë nuk kishin kompensim financiar për angazhimin.

Specializantët privatë janë në grevë për të dytën ditë. Mjekët e rinj u shprehën dje se nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre për rritje të pagës dhe zgjidhjen e sigurimit shëndetësor.

Ata kanë reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministrit të Shëndetësisë, Ilir Demiri, i cili dje tha se pas grevës fshihet prapavijë politike.

“Nuk kemi motive politike. Motivet e kësaj greve janë të gjithë këta kolegë pas meje që kërkojnë kushte elementare të jetesës dhe është e turpshme që një mjek nuk ka sigurim shëndetësor dhe nuk ka asnjë parti politike që duhet të na motivojë të kërkojmë të drejtat tona. Unë personalisht nuk kam asnjë kartelë partiake, e vetmja kartë që kam në shtëpi është karta e dhurimit të gjakut”, tha Dr. Hristina Ilijoska Ceshlarovska.

Vetëm në Qendrën Klinike janë rreth 400 praktikantë privatë. Ata nuk heqin dorë nga kërkesat për rritjen e të ardhurave mujore, kontratat e punës dhe sigurimet shëndetësore.