Shahistët, lobistët dhe ndryshimet kushtetuese

Në lojën e shahut, e disa do të kishin thënë edhe në procesin e lobimit për një kauzë, fiton gjithmonë ai që i parasheh më mirë gjërat. Ka një film të mirë në temën e lobimit që quhet “Miss Sloane” ku protagonistja kryesore në një rast thotë: “Lobimi është ngushtë i lidhur me parashikimin. Duhet t’i parashohësh lëvizjet e oponentit dhe të paracaktosh masa kundërshtuese. Fitimtari vepron gjithmonë një hap para oponentit.”

Dikush do të pyesë se çfarë lidhje ka lobimi, shahu dhe ndryshimet kushtetuese, por ja që gjerat janë mjaft të ndërlidhura pikërisht në këtë kontekst.

Deri sa u mbajt takimi Kovaçevski-Mickovski lidhur me nevojën për ndryshimet kushtetuese, Mickovski theksonte që është gjithmonë i gatshëm për të shkuar në takim dhe për të diskutuar pse dhe si do të dështojë inicijativa për ndryshime kushtetuese. Fliste bindshëm që nuk do të pranojë në asnjë mënyrë ndryshime kushtetuese nën diktatin e Bullgarisë. Ja që kur doli nga takimi, kishte ndëruar mendje sapo Kryeministri Kovaçevski kishte dhënë propozim që VMRO-DPMNE të hyjë në qeveri që tani, në mënyrë që bashkarisht ti votojnë ndryshimet kushtetuese nga të cilat varen bisedat për aderim të RMVsë në UE. Kryeministri tregoi zemërgjerësi dhe veprim të fuqishëm shtetëror në këtë drejtim, duke ofruar që VMRO-DPMNE të bëhet pjesë e qeverisë dhe të marë gjysmën e ministrive që udhëhiqen nga kuadro të LSDM, duke promovuar nevojën për një koalicion të gjerë për një vendim kaq të rëdnësishëm si që është ndryshimi i Kushtetutes me qëllim të aderimit në UE.

Ashtu si që tregoi zemërgjerësi Kovaçevski me këtë ofertë, në anë tërësisht të kundërt Mickovski tregoi diçka tjetër. Ai që deri dje thoshte që ndryshimet kushtetuese janë destinuar të dështojnë, e ndryshoi diametralisht qëndrimin e tij sapo iu ofrua hyrja në qeveri. Dhe ja për herë të parë, Mickovski nuk u shpreh kundër ndryshimeve kushtetuese por bile ofroi përkrahje për to po qe se hynë në qeveri. Domethënë, hyrja në qeveri ishte monedha që i ndryshoi gjërat, dhe këtu duhet të mbahet mend veprimi i secilit subjekt politik konkret. Pranimi i ndryshimeve kushtetuese nga ana e Mickovskit është hap shumë i rëndësishëm për ardhmërinë e shtetit, por gjithmonë duhet mbajtur mend motivi që e bindi atë për t’iu rrekur kësaj pune. E për më tepër, Mickovski kishte edhe një kusht: ai tha që do të pranojë të hyjë në një qeveri të gjerë për pranimin e ndryshimeve kushtetuese por vetëm nëse kjo qeveri nuk e përfshin BDI-në. E paramendoj fort mirë si i është dukur vetja një shahist i pashoq me këtë veprim, duke menduar që pikërisht ky kusht do të jetë rrënuesi i marrëveshjes për pranimin e ndryshimeve. Në një situatë të tillë siç e kishte menduar Mickovski, LSDM do të dilte e paaftë për të zgjidhur një problem jetik, VMRO do të dilte hero që pranon marrëveshjen por kushti i saj nuk plotësohet dhe prandaj gjithçka dështon ashtu siç edhe e kishin parashikuar, dhe BDI do të dilte fajtor kryesor për ngecjen e ndryshimeve kushtetuese, e rrjedhimisht edhe për ngecjen në rrugën e anëtarësimit në UE. Duke qenë se nga partitë shqiptare BDI ka më së shumti mandate në parlament, ky narativ i Mickovskit do t’i nxirte fare lehtë shqiptarët si fajtorë për këtë dështim, gjë që do ta forconte narrativin e kahëhershëm të VMRO-DPMNE-së se shqiptarët janë fajtorët kujdestarë për çdo problem në këtë shtet.

Por ja që Mickovski nuk e kishte menduar që ka shahistë më të mëdhenj se ai. Doli postimi nga BDI se ata pranojnë të mbështesin qeveri pa BDI deri në zgjedhje nëse opozita i përkrah ndryshimet kushtetuese të cilat duhet paraprakisht të hynë në fuqi para formimit të asaj qeverie. Këtë postim, Ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani e mbaron me fjalinë “E ardhmja evropiane e qytetarëve është e para”.

E tani? Eh, tani Mickovski duhet t’i përkrahë ndryshimet kushtetuese të cilat deri dje pretendonte se janë të dështuara. Çka do të tregojë e gjithë kjo situatë pas pranimit të ndryshimeve kushtetuese dhe në kushtet e zgjedhjeve të reja parlamentare të cilat sipas shumë gjasave do të jenë zgjedhje të parakohshme, do të mbetet ta shohim me shumë interes në atë kampanjë ku të gjithë do të bëhen shumë evropianë, pavarësisht kush kur ka hyrë e kur ka dalur nga qeveria.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.