U raportua për arratisjen e ujqërve, Anima Mundi kërkoi që Kopshti Zoologjik i Shkupit të mbyllet dhe të inspektohet
Shoqata për mbrojtjen e kafshëve Anima Mundi kërkon mbylljen urgjente të Kopshtit Zoologjik të Shkupit dhe kryerjen e një inspektimi të pavarur, ku të kontrollohen të gjitha habitatet, rrethojat, kafazet dhe sistemet e sigurisë, ndërsa gjetjet të publikohen. Kjo kërkesë vjen pasi në opinion u publikua informacioni se ujqërit kishin ikur nga habitati i tyre dhe kishin mbytur katër kangurë dhe disa shpendë, transmeton Portalb.mk.
Aktivistët kërkojnë një hetim të pavarur për arratisjen e ujqërve, vrasjen e kafshëve dhe përcaktimin e përgjegjësisë për të gjitha lëshimet, si dhe vendosjen e një moratoriumi për shumimin dhe sjelljen e kafshëve të reja derisa të sigurohen kushte që përmbushin standardet. Ata përsëritën gjithashtu kërkesën për mbylljen e Kopshtit Zoologjik të Shkupit dhe shndërrimin e tij në një qendër shpëtimi dhe rehabilitimi për kafshët.
Nga Anima Mundi kanë publikuar edhe një video ku shihet se si ujqërit përpiqen të dalin nga habitati i tyre në një pjesë të improvizuar me rrjetë, ku rrethoja metalike dyshohet se është e dëmtuar.
“Rrethimi i habitatit të ujqërve nuk lë përshtypjen e një sistemi sigurie të përshtatshëm për mbajtjen e kafshëve të egra. Përkundrazi, ngre dyshime serioze nëse janë siguruar fare standardet minimale për mbrojtje dhe parandalimin e arratisjes. Siguria e kafshëve të egra nuk guxon të bazohet në improvizime, nuk duhet të varet nga fati dhe nuk mund të arsyetohet me heshtje. Faji nuk është vetëm i drejtorit aktual, pasi kjo gjendje vazhdon prej kohësh”, thonë nga Anima Mundi.
Sipas informacioneve jozyrtare të publikuara në media, ujqërit e bardhë kishin hapur një gropë nën habitatin e tyre dhe ishin arratisur fundjavën e kaluar, pas së cilës sulmuan dhe mbytën disa kangurë dhe shpendë. Pasi u vunë re, punonjësve iu deshën disa orë për t’i kapur dhe për t’i kthyer në habitat.
Nga Kopshti Zoologjik i Shkupit deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar për incidentin. Pyetjet se kur ndodhi arratisja, nëse në atë moment kishte vizitorë në kopsht, ku ndodhen tani ujqërit dhe nëse habitati është siguruar, ende mbeten pa përgjigje.
Mbylljen e Kopshtit Zoologjik në maj e kërkoi edhe Qyteti i Gjelbër Human, duke e karakterizuar si vend torture për kafshët. Kjo kërkesë erdhi pasi u hodhën gurë drejt elefantëve dhe hipopotamëve në Kopshtin Zoologjik, ndërsa një vajzë e re u ngjit në kafazin e majmunëve.