Përfaqësimi opsional dhe kujtesa e fshirë

Ka raste kur një debat juridik duket teknik, por në fakt prek thelbin e shtetit. I tillë është debati për ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili kaloi në lexim të parë në Kuvend dhe menjëherë ngriti pyetjen më të rëndësishme: a mjafton që një ligj të parashohë raporte, monitorim dhe përgjegjësi politike, nëse nuk parasheh edhe sanksione të qarta për moszbatimin e tij?

Teksti i ligjit mund të flasë për raportim të zbatimit, për përgjegjësi politike, për vlerësim të gjendjes dhe për detyrime institucionale. Këto nuk janë të parëndësishme. Por ato nuk janë të mjaftueshme. Sepse kur mungon sanksioni, mungon ajo që normës juridike ia jep fuqinë detyruese. Në teorinë elementare të së drejtës, norma juridike përbëhet nga hipoteza, dispozita dhe sanksioni. Pa sanksion, norma nuk është e plotë. Pa pasojë juridike, detyrimi rrezikon të mbetet vetëm deklaratë politike.

Dhe këtu lind pyetja: a mund të quhet normë e vërtetë një normë që nuk parasheh çfarë ndodh kur nuk zbatohet? A mund të quhet obligim juridik diçka që nuk sjell as gjobë dhe  as përgjegjësi të përcaktuar qartë për institucionin apo personin përgjegjës? A mund të lihet zbatimi i një vlere themelore kushtetuese vetëm në nivel të raportimit dhe përgjegjësisë politike?

Dikush me të drejtë e krahasoi këtë debat me ligjet e tjera ku shteti nuk heziton të vendosë sanksione. Kur bëhet fjalë për “Safe City”, kamera, kundërvajtje, vepra penale dhe gjoba, shteti e di shumë mirë çfarë është norma juridike dhe si zbatohet ajo. Atje sanksioni është i qartë, gjoba është e qartë, përgjegjësia është e qartë. Por kur bëhet fjalë për përfaqësimin e drejtë, për një nga vlerat themelore të rendit kushtetues të këtij shteti, papritmas mjaftojnë raportet, rekomandimet dhe përgjegjësia politike.

Kjo është e papranueshme. Jo sepse sanksioni duhet të jetë qëllim në vetvete, por sepse pa të nuk ka seriozitet institucional. Përfaqësimi i drejtë nuk është favor. Nuk është kompromis i përkohshëm. Nuk është çështje që duhet të varet nga disponimi i qeverive, ministrive apo drejtorëve të institucioneve publike. Është parim kushtetues dhe një nga shtyllat mbi të cilat u ndërtua ideja e shtetit të përbashkët pas vitit 2001.

Prandaj, ligji që synon ta zbatojë këtë parim duhet të jetë i qartë, i detyrueshëm dhe i zbatueshëm. Përndryshe, ai rrezikon të bëhet edhe një tekst tjetër që nuk ndryshon asgjë në realitet. E kemi parë shpesh këtë model: ligje që prodhojnë dokumente, strategji që prodhojnë plane veprimi, plane veprimi që prodhojnë raporte, dhe raporte që prodhojnë konstatimin se gjendja ende nuk është përmirësuar.

Në të njëjtën javë, një tjetër ngjarje na rikujtoi se përfaqësimi nuk është vetëm çështje e vendeve të punës në administratë. Është edhe çështje e pranisë në hapësirën publike. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për emrat e rrugëve në Tetovë u përjetua nga shumë shqiptarë si kthim prapa, ndërsa nga shumë maqedonas u prit me gëzim. Dhe pikërisht ky gëzim është pjesa më shqetësuese.

Sepse nuk mund të ndërtohet shtet i përbashkët kur një komunitet gëzohet për humbjen simbolike të tjetrit. Nuk mund të flasim për bashkëjetesë kur në vitin 2026 rikthehemi te emra të një regjimi represiv, dhe kjo shihet si fitore. Një qytet nuk është vetëm ndërtesa, rrugë dhe tabela. Është edhe kujtesë. Është edhe ndjenjë përkatësie.

Prandaj, këto dy çështje lidhen më shumë sesa duket në shikim të parë. Njëra flet për përfaqësimin në institucione. Tjetra për përfaqësimin në hapësirën urbane. Njëra tregon se sa seriozisht e marrim barazinë si detyrim juridik. Tjetra tregon se sa sinqerisht e pranojmë tjetrin si pjesë të kujtesës publike.

Nëse shteti vërtet e sheh si vlerë themelore përfaqësimin e drejtë dhe integrimin e të gjithë qytetarëve të vet, atëherë të drejtat nuk mund të mbeten pa sanksion, ndërsa kujtesa pa respekt. Përfaqësimi i drejtë nuk duhet të jetë opsional, por obligim i qartë. Ndërsa bashkëjetesa nuk ndërtohet duke festuar fshirjen simbolike të tjetrit, por duke respektuar prezencën e tij po aq të rëndësishme në institucione, në rrugë, në hapësirat publike dhe në një shtet që duhet të jetë i përbashkët për të gjithë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.