Segmentim antropologjik: Gulja (2)

Më pas, grupi i pjesëmatrrësve në ritualin e therjes e ndanin veç mishin e darkës së gules, zakonisht pjesa më e mirë apo më cilësorja. Rituali vazhdonte me rripat që do futeshin në kosh thuprash apo arkë ku do rrinin 3-4 javë, në kripë të trashë, ndonjëherë shoqëruar edhe me qepë, që pas disa javëve thaheshin mbi stufën e dhomës së ndejës ku shpesh përvidheshin edhe “hajdutë anonimë” që s’ua varte kush veshin. Një pjesë tjetër e mishit veçohej për suxhuk, që përgatitej pas disa ditëve nga mishi i grirë me sëpatë mbi një trung bagremi apo mani, nga specat e kuq të tharë dhe qepët e grira me dorë. Masa e ngjeshur apo tekstura e mishit futej me dorë në zorrët e gules – të mbajtura hapur me tel të trashë – që edhe ashtu të njoma – të mos flasim ku thaheshin apo piqeshin në ftavë a furrë – i jepnin shtëpisë një aromë të papërshkrueshme që s’e ka asnjë produkt industrial i këtij lloji sadoqë që mban etiketën “i shtëpisë”, “sipas recetës së katundit”, “me recetën e gjyshes”.

Dhe pasi kryheshte akti i klasifikimit të mishrave, argati shpërndaheshin nëpër shtëpitë e veta, për t’u rregulluar dhe për t’u rikthyer në mbrëmje sërish, në darkën solemne kur herë-herë organizohej edhe ceremonia e këndimit të mevludit. Para se të vinin në darkë, pjesa dërrmuese pikëtakimin e kishin në xhami, ku pasi falnin akshamin, bashkë me hoxhën e katundit vinin te nikoqiri që atë natë kishte krenarinë e gostisë “deri në gjunj”, kur nuk kursente gjë, ofronte më të mirën ushqimore që i kishte falur Zoti.

Dhoma më e madhe e shtëpisë, me shilte tradicionale dhe stufa e skuqur si repartet e fonderisë. Ndeja në një dhomë pa TV gati të niste. Sofrabezi, legeni dhe peshqiri që mbanin në dorë më të rinjtë: larja e duarve. Sofra e madhe që ose ishte e zotit të shtëpisë ose e huazuar nga kojshiu niste të mbushej përplot ushqime. Çorbë nga paça, turshi të të gjitha llojeve (lakër, domate, speca), kos, rasoj, jahni, oriz me mish, alygjin, sheqerpare, kajmakçin ose sytlijash… Si në shiritin e filmave defilonte gastronomia shtëpiake. Mishrat i ndante më i vjetri i sofrës ose nikoqiri. Të gjithë hanin duke treguar nder për tjetrin, me ndonjë llaf e muhabet; atyre me autoritet iu qitej nga një copë mishi plus. Dhe pasi merrej një frymë, me shaka a ndonjë barcoletë që krijojnë atmosferë, kalohej te faza më serioze, këndimi i mevludit apo leximi me zë dhë formë kënge shpirtërore i biografisë profetike, kur pas një pjese, kur vjen lindja e të Dërguarit, jepej sherbeti i kuq. Me disa pauza, shoqëruar me ilahi e versete kur’anore, përmbyllej cikli biografik dhe kalohej në një fazë relaksi, kur imami jepte disa këshilla të shkurtra, që kishin të bëjnë me bazat e fesë, edukatën, respektin ndaj të tjerëve. Në vazhdim me leje, dhizeshin cigaret produkt vetjak, kaçak, dhe fjala iu kalohej të tjerëve, auditorit, pra seanca pyetje-përgjigje. Kafeja dhe çaji ndërkohë ishin të pashmangshëm. Fjalën mund ta merrte secili, dikush tregonte ndonjë eksperiencë nga koha e ushtrisë, më të vjetrit madje flisnin edhe për raste si “14 ditë në Srem vetëm me patate”, rrëfime për stërgjyshërit e Jemenit, për bashkafshatarët dhe farefisin që ikën për në Turqi, për lotët e të dyja palëve etj. Kishte edhe të guximshëm që i mëshonin sistemit komunist, që kërkonin osmanlliun, baba mbretin shqiptar, “Shqipërinë e Bashkuar” etj. Ne si fëmijë ishim të detyruar që të bëheshim vesh, të dëgjonim. Gjatë mevludit, dera lihej pak e hapur që të mund të dëgjohej edhe nga auditori i grave që gjithashtu ishin shumë në numër. Mevludi që po jep frymët e fundit u hoq nga brezi i teologëve të rinj me frymë selefiste të pas viteve 1990 që e etiketuan atë si novotari (bid’at).

Pasi shkonte hoxha me haxhilerët me më të moshuarit, rinia niste lojët që zgjasnin deri pas mesnate e më gjatë, gurë, zap-zup, shervete, filxhana, ndonjëherë edhe shah… Komunikim pa doreza, afërsi zemre. Kishte raste kur nikoqiri zgjidhte variantin e shairëve popullorë, apo të këngëtarëve me çifteli e sharki që përshkonin storje të vërteta të hekave të popullit, të trimërisë, legjenda etj. Një ndjenjë sociabiliteti që kultivonte edukatën, respektin, lidhjet farefisnore, ato fqinjësore, që mbante në nivel të lartë ndjenjat fetare e kombëtare, njohjen  ndërbreznore, që mbante familjen tok, të afërt e më të largët. Ky tubim luante rolin e një shkolle apo mini-hepeningu alternativ që përsëritej shtëpi pas shtëpie, duke begatuar jetën sociale të njerëzve, duke i çliruar ata nga ngarkesat jetike.

Si përfundim mund të themi se gulaku apo mishi ishte vetëm behane, arsye, kurse pjesa tjetër është një një përvojë e jashtëzakonshme që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në gatimin e brezave, në kulturëndërtimin tonë. Parsonsi shumë bukur ka konstatuar se “familja është fabrikë e personalitetit.” Sot me mall i kujtojmë ato momentume të vetërealizimit kolektiv, ato “mbledhime sociale” (social gatherings) që ofronin mundësi të shumta, që dallojnë shumë nga individualizmi i kohës sonë, kur takimet janë vetëm për festa apo raste lindjesh-vdekjesh, kur rrallë shihemi edhe me fëmijët tanë brenda të njëjtës shtëpi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.