ANALIZË: Borxhi publik këtë vit do t’i afrohet gati 62% të PBB-së

Këtë vit, borxhi publik total do të kalojë kufirin maksimal të përcaktuar prej 60% të PBB-së. Nga viti i ardhshëm eurobondet do të “trokasin në derë” për shlyerje. Çështja e qëndrueshmërisë së borxhit publik është bërë aktuale dhe problematike që nga viti 2020, kur filloi trendi rritës. Nga viti 2018, sipas përllogaritjes së “Portalb”-it, borxhi publik total është rritur për më shumë se 2 miliardë euro, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Plani i qeverisë për menaxhimin e borxheve…

Shlyerja e borxheve të vjetra, garancitë shtetërore për kreditë, kreditë për projekte në nivel qendror dhe lokal – të gjithë këta faktorë do të “fryjnë” totalin e borxhit publik këtë vit. Sipas planit të qeverisë të përshkruar në Strategjinë e re të rishikuar të Menaxhimit të Borxhit Publik 2024-2026, këtë vit shuma e totalit të borxhit do të kalojë kufirin maksimal prej 60%. Konkretisht, borxhi publik pritet të arrijë një nivel historik prej 61,7% të PBB-së.

“Deri në fund të vitit 2023, borxhi publik parashikohet të jetë brenda kufijve të përcaktuar nën 60% të PBB-së, ndërsa në vitin 2024 do të kalojë kufirin maksimal prej 60%, por si rezultat i masave të konsolidimit fiskal, nga viti 2025 deri në vitin 2028 parashikohet të kthehet sërish në kornizën e përcaktuar nën 60% të PBB-së” – thuhet në dokumentin e Ministrisë së Financave.

Infograf: Portalb.mk
Analiza ekonomike 22.01.2024

Ajo që mund të jetë e “rrezikshme” është borxhi i garantuar i shtetit, ku përfshihen kreditë në nivel qendror dhe lokal që garantohen nga shteti. Sipas planit për këtë vit, ky borxh nuk duhet të kalojë 15% të PBB-së.

“Garancitë e lëshuara shtetërore përfaqësojnë një detyrim potencial për buxhetin e shtetit, gjegjësisht ekziston rreziku për rritjen e kostove të shërbimit në rast të aktivizimit të tyre. Në atë drejtim, për periudhën 2024-2028 është përcaktuar kufiri që niveli i garantuar i borxhit publik të të mos kalojë 15% të PBB-së” – theksohet në Strategji.

Nga viti i ardhshëm shlyerja e eurobondeve…

Duke iu referuar të dhënave nga Strategjia Fiskale 2024-2028, “Portalb”-i tashmë ka publikuar se këtë vit dhe në vitet në vijim, mbi bazën e huamarrjes së brendshme dhe të jashtme, shumat e detyrimeve për shlyerje do të kalojnë 1 miliard euro në vit. Këtë vit do të kemi pak më shumë se 700.000.000 euro për të shlyer, ndërsa nga viti i ardhshëm do të “trokasin në derë” edhe shlyerjet e eurobondeve. Në vitin 2025 do të duhet të paguajmë 500.000.000 euro në bazë të eurobondit të emetuar në vitin 2018.

Infograf: Portalb.mk
Analiza ekonomike 22.01.2024

Krahas eurobondeve, do të shlyhen edhe kredi për arsye të tjera, prandaj vitin e ardhshëm, në bazë të totalit të detyrimeve të maturuara ndaj kreditorëve të jashtëm dhe të brendshëm, do të duhet të paguajmë gati 1,24 miliardë euro, ndërsa në vitin 2026 shuma do të arrijë vlerën 1,37 miliardë euro.

Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme, në fund të tremujorit të tretë të vitit 2023, borxhi publik arriti në 8.032.000.000 euro ose 55,3%. Rritja e tretë e ndjeshme e borxhit publik filloi në vitin 2020 me fillimin e krizës së Kovidit dhe kjo tendencë vazhdoi edhe në vitet në vijim për shkak të krizës ekonomike. Në vitin 2019, borxhi publik ishte 49,2 për qind, ndërsa në vitin 2020 arriti nivelin 59,7 për qind.

Infograf: Portalb.mk
Analiza ekonomike 22.01.2024

Nga viti 2018 deri në fund të shtatorit të vitit të kaluar, borxhi publik është rritur për 2,8 miliardë euro. Qëndrueshmëria e borxhit publik është kthyer në një çështje kryesore ekonomike vitet e fundit, kryesisht për shkak të tendencës në rritje në kushtet e krizës dhe, nga ana tjetër, për shkak të ritmeve modeste të rritjes ekonomike, të pamjaftueshme për të “ushqyer” orekset buxhetore.