Segmentim antropologjik: Gulja (1)

“Fuqia e tubimeve, kuvend(im)eve qëndron në faktin se na frymëzojnë (…) të jemi më shpresëdhënës, më të gëzuar, më të zhytur në mendime, me një fjalë, na bëjnë më të gjallë.”

Alice Waters

Antropologjia sociale është studim i njerëzve – popujve gjithandej, çfarë bëjnë, çka mendojnë dhe si i organizojnë marrëdhëniet e tyre shoqërore. (cam.ac.uk) Antropologët socialë përpiqen të kuptojnë se si populli jeton në shoqëri dhe se si e bëjnë jetën e tyre të kuptimtë. (manchester.ac.uk) Shenjat, simbolet, ritualet dhe praktikat apo aspektet vlerore të një kulture e theksojnë identitetin e saj. (Canolli, 2019) Ritualet janë akte apo sërë e akteve të përsëritura në mënyrë të vazhdueshme që mishërojnë besimin e një grupi të njerëzve dhe krijojnë një sens të kontinuitetit dhe përkatësisë (Davis-Floyd 2003: 8). Tubimet apo kuvendet janë mjete të mësimit social që fuqizojnë antarësinë në një grup social apo jetën grupore, identifikimin dhe përkushtimin ndaj grupit, nxisin bashkëpunimin dhe e ruajnë kohezionin grupor. (Watson-Jones & Legare, 2016)

Një nga klasikët e shkencave sociale, Ibn Khalduni flet për dy mënyra të jetesës, për dikotominë rural dhe urban, kurse gjermani Tönnies ka detektuar dallimin mes dy tipeve të grupeve sociale: bashkësia (Gemeinschaft) dhe shoqëria (Gesellschaft). Fshati tradicionalisht është agrikulturor, më konservator, ka fertilitet dhe homogjenitet më të lartë etj. Jeta e fshatit si një topos i veçantë shenjon edhe një mënyrë specifike të jetesës, që në vete përfshin edhe veprime që pasqyrojnë kulturën e një mjedisi që dallon nga ai urban, mes tjerash edhe për nga ngjeshja e komunikimit ndërnjerëzor.

Një segment kulturologjik dhe antropologjik i jetës në fshatrat e Shkupit është edhe ai i therjes së një kafshe (guleje), zakonisht lopë, mëzat apo viç, në një mënyrë detajisht të organizuar. Gulja, një krahinorizëm apo lokalizëm, një term që në gojën popullore e gjejmë edhe në formën gulaku, përbën një element të rëndësishëm të traditës sonë shqiptare, në veçanti te pjesa që frymon në Maqedoninë e Veriut. Është ky një ritual që ndodh zakonisht në stinën e dimrit, kur në përgjithësi fshatarët, përgatiten për dimër me zahirenë për bagëtinë dhe mishin dhe nënproduktet e tij për familjen dhe miqtë e mysafirët.

Pasi kafsha blihej të martën, të mërkurën , të enjten apo të shtunën në pazarin e bagëtisë, gëzimi e kënaqësia mbizotëronin në mjedisin familjar sepse ky ishte shpërblimi për mundin e dhënë të të gjithë pjesëtarëve në stinën e verës, në kapitalin ekonomik që mundësonte një satisfaksion të tillë. Pasi në mbrëmje lidhej në grazhd, kafsha zgjidhej në mëngjes ndonjë ditë kur binte dëborë për t’u therrur. Për të treguar mëshirë, në fillim kafshës i jepej ujë. Aktin e heqjes së kokës e kryente dikush nga familja që punët e këtilla i shkonin për dore. Kthehej nga kibleja dhe me një besmele (përmendje të emrit të Zotit) në fillim përfundonte pjesa e parë. Më pas, më kujtohet që neve si fëmijë na dërgonin si thirrës nëpër fshatrat përreth të ftonim dajallarët, tezet, hallat, dhëndurët për darkë, që në të shumtën e rasteve vinin bashkë me fëmijët e tyre, që krijonin atmosferë dhe afërsi të papërshkrueshme që zgjaste disa ditë.

Ndërkohë, kishte një ndraje sociale të punës nëkuptimin durkheimian: gratë, që ditë më parë kishin bërë ëmbëlsirat (tatli tradicionale, fërëlldak, sheqerpare, oriz me tamël), përgatisnin mëngjesin për argatët e gulakut apo sistemitmit të mishit dhe pitet e prera (pa asgjë) me kos ishin ushqimi më i preferuar i ditës. Tepsitë, pjatat duheshte të ishin aty, uji i nxehtë, sepse çdo gjë kaloheshte nëpër ujë. Ne veçanti kujdes tregohej për pastrimin e zorrëve me të cilat bëhej suxhuku. Më të vjetrit nga meshkujt bënin aktin e pjesëtimit të kafshës, kurse fëmijët përrëth mësonin traditën. Mësonin edhe sociabilitetin, si të komunikojnë, shihnin se sa të harmonishëm janë pjesëtarët e gjakut, të fisit, mësonin frymën e bashkëjetesës dhe bashkëveprimit. Të gjithë të buzëqeshur, si të ishin në një dasmë të vogël. Pjesëmarrësit ndonjëhere e peshonin mishin në kandar dhe shumë vlerësohej tepsitë e dhjamit që kafsha ka dhënë. /vijon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.