Edhe një çmim për Lea Ypin
Vetëm pak ditë pasi ishte në Shkup, ku u nderua me çmimin “BookStar 2026” dhe dha një intervistë për Portalb.mk, filozofja dhe shkrimtarja shqiptare Lea Ypi fitoi një tjetër çmim të rëndësishëm, tranmseton DIE ZEIT.
Këtë herë, Ypi do të nderohet me Çmimin Hannah Arendt për Mendimin Politik 2026.
“Vepra e saj filozofike, politike dhe letrare trajton çështje themelore që qëndrojnë në zemër të mendimit demokratik: lirinë, të vërtetën, drejtësinë, dinjitetin njerëzor dhe kushtet e veprimit politik”, njoftoi Shoqata Hannah Arendt në Bremen.
Juria ndërkombëtare e cilësoi Ypin si një nga mendimtaret politike më të shquara të kohës sonë. Sipas arsyetimit të saj, vepra e filozofes shqiptare ndërthur përvojën politike të jetës nën një sistem totalitar me reflektimin filozofik dhe analizën historike.
Juria theksoi se, përballë sfidave të reja autoritare, pikëpamjet e Ypit mbi lirinë dhe demokracinë marrin një rëndësi të veçantë.
Lea Ypi do ta marrë çmimin më 10 dhjetor në Bashkinë e Bremenit. Çmimi Hannah Arendt u jepet personaliteteve që kontribuojnë në mendimin dhe veprimin politik publik, në frymën e traditës së Hannah Arendt.
Çmimi shoqërohet me një shpërblim prej 10.000 eurosh, të financuar nga Fondacioni Heinrich Böll dhe qyteti i Bremenit.