U mbyll edhe një shkollë në Komunën e Bogovinës

Rruga drejt shkollës periferike “Abdyl Frashëri” në fshatin Sellcë e Keqe sot është plotësisht e heshtur. Oborri ku dikur dëgjoheshin zërat e fëmijëve, këtë shtator ka mbetur bosh. Për shkak të mungesës absolute të nxënësve, Ministria e Arsimit ka vendosur që këtë vit dyert e saj të qëndrojnë të mbyllura, raporton TV21.

Shkolla periferike ‘Abdyl Frashëri’ në fshatin Sellcë e Keqe, në Komunën e Bogovinës, për këtë vit është mbyllur me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, pasi nuk ka asnjë nxënës.

Autoritetet lokale arsimore konfirmojnë se shkolla ka mbetur pa asnjë paralele aktive. Megjithëse procedurat administrative për mbylljen e saj përfundimtare juridike ende vazhdojnë, procesi mësimor këtu ka ndaluar plotësisht.

Sellca e Keqe nuk është i vetmi fshat që përballet me shpopullimin e bankave shkollore. Trendi alarmant i rënies së numrit të nxënësve po prek edhe vendbanime të tjera të Komunës së Bogovinës, si Jellovjani, ku në të gjitha klasat numërohen vetëm tre nxënës, ndërsa në klasë të parë nuk u regjistrua asnjë pranim i ri.

Gjendja në Bogovinë pasqyron një problem më të gjerë në nivel vendi. Vetëm për këtë vit shkollor, Ministria e Arsimit ka marrë vendim për mbylljen e 26 shkollave periferike në të gjithë Maqedoninë e Veriut, si pasojë e braktisjes së fshatrave dhe rënies drastike të natalitetit.

Ndryshe, numri i paraleleve në arsimin fillor është reduktuar për rreth 200, ndërsa në arsimin e mesëm për rreth 100, për shkak të optimizimit të rrjetit shkollor, njoftoi më 25 gusht ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Sipas statistikave, në shtatë vitet e fundit numri i nxënësve në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për rreth 17 mijë. Vetëm gjatë një periudhe pesëvjeçare, 30 shkolla në mbarë vendin janë mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve. Krahas mbylljes së objekteve shkollore, ka rënë edhe numri i paraleleve (klasave), duke u reduktuar me dhjetëra çdo vit. Fshati Kosternik ka rreth 300 banorë, por migrimi ka bërë që ai të zbrazet edhe më shumë.