“Deltar” filloi xhirimet, një histori e dhimbshme për luftën, ikjen dhe qenin që mbetet pas

Kanë nisur xhirimet e filmit me metrazh të shkurtër “Deltar”, nën regjinë e Ibër Dearit, një rrëfim që prek plagët e luftës, braktisjes dhe ndarjes së dhimbshme nga shtëpia, shkruan Portalb.mk.

Në qendër të filmit është historia e një djaloshi që detyrohet të largohet nga shtëpia së bashku me familjen, ndërsa pas tij mbetet qeni i lidhur në zinxhir.

“Një histori për luftën, braktisjen, humbjen, ikjen dhe ndarjen nga gjithçka që një fëmijë njeh dhe do”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës, e cila ka mbështetur realizimin e projektit.

Foto nga filmi “Deltar”. Foto: Ibër Deari (Facebook)
Foto nga filmi “Deltar”. Foto: Ibër Deari (Facebook)

Aktori Afrim Muçaj, i cili në “Deltar” është edhe skenarist dhe producent, është shprehur i emocionuar që projekti tashmë ka hyrë në fazën e xhirimeve.

“Jam shumë i lumtur që më në fund kemi filluar xhirimet e ‘Deltar’. Si skenarist dhe producent i filmit, është një ndjenjë e veçantë ta shoh këtë projekt, që e kemi menduar dhe punuar për kaq gjatë, duke marrë jetë në sheshxhirim”, ka deklaruar Muçaj për RTK live.

Në kastin e filmit janë Ledion Mulaki, Afrim Muçaj, Gentrit Shala, Mia Muçaj dhe Valon Nuhiu, krahas aktorëve të tjerë.