Kriza e shtetformësisë: Shqiptarët e RMV mes mashtrimit politik dhe dështimit të Marrëveshjes së Ohrit

Periudha nga Marrëveshja e Ohrit (MO) e këtej, veç të tjerash, ka qenë dhe mbetet një periudhë e dështimit të palës shqiptare, si në negociatat për miratimin e saj, ashtu edhe më pas. Është vështirë të rrëzohen tezat se: për aq dhe për ashtu siç u arritën gjërat, shqiptarët në Maqedoni do t’i arrinin ato edhe pa u bërë ajo që njëra palë e quan “Konflikt i armatosur” e pala tjetër e quan “Luftë e UÇK-së”! Që atëherë e deri më sot, liderët partiakë shqiptarë thirren në Kushtetutë e në ligje duke proklamuar atributin e shtetformësisë së shqiptarëve në RMV. Është iluzion, vetëmashtrim apo mashtrim për popullin, kush mund t’i bjerë në fije kësaj sjelljeje të tyre! Shumë shpesh gjatë 24 viteve të shkuara, politikanët shqiptarë i kanë rënë dhe akoma vazhdojnë t’i bien borisë se atributin e të qenit shtetformues të RMV-së shqiptarët e paskan fituar me Marrëveshjen e Ohrit! Është lajthitje (e qëllimshme ose jo), por edhe ironi politike kur sot, ashtu si gjatë 24 viteve të shkuara, ndonjë lider apo veprimtar, përmes ndonjë shkrimi ose paraqitjeje publike, pohon se po na cenohet e rrënohet shtetformësia! Shpeshherë, liderët politikë shqiptarë këtë pompë e përdorin edhe me qëllime jo të sinqerta, pa qenë të bindur as vetë; ata mashtrojnë me qëllim që, kur u duhet, ta mbajnë masën e shqiptarëve të qetë e nën kontrollin e vet. Pastaj, kur u duhet atyre, ulërijnë para popullit: “Shqiptarëve po u cenohet shtetformësia! Shqiptarëve po u cenohet gjuha!”.
Duhet kuptuar drejt dhe pa emocione: si popull autokton në këto hapësira, si popull pjesëmarrës aktiv në të gjitha momentet historike dhe në momentet më delikate aktuale të formimit të këtij shteti (në luftëra dhe në konstituimin e shtetit të Maqedonisë) dhe si më tepër se 30% e popullatës në shtet, shqiptarët rezultojnë shtetformues legjitimë dhe hisedarë në formimin, ngritjen dhe mirëmbajtjen e këtij shteti. Shqiptarët, pra, janë shtetformues me legjitimitet historik dhe aktual, por mbetën pa statusin e shtetformuesit konstitucional, pasi nuk e kanë statusin e popullit shtetformues në Kushtetutë. Kjo, rrjedhimisht, e pamundëson frymën shtetformuese brenda ligjeve që kanë të bëjnë me shqiptarët në shtet. Për këtë arsye, nuk mund të kenë një shtetformueshmëri të legalizuar nëpër ligje! Liderët politikë shqiptarë këtu e ngatërrojnë legjitimitetin shtetformues historik dhe aktual të shqiptarëve, ose edhe e identifikojnë qëllimisht atë me konceptin e shtetformueshmërisë konstitucionale!
Gjatë gjithë kësaj kohe, prej dekadash, ka ndodhur një vetë-lajthitje individuale e kolektive, e prodhuar nga vetë liderët politikë shqiptarë! Kjo është ndoshta edhe arsyeja kryesore që, duke qenë i mashtruar nga liderët e vet, gjatë gjithë kësaj kohe populli shqiptar në RMV ka qëndruar “urtë e butë”, ashtu siç ka qenë i kurdisur nga lidershipi i tij! Pse gjatë gjithë kësaj periudhe 24-vjeçare nuk u shënua asnjë përpjekje politike e organizuar serioze, me mjete dhe metoda politike, me qëllim që statusi juridiko-politik i shqiptarëve të arrijë konstitucionalitetin dhe legjitimitetin e shtetformueshmërisë, barabartë me maqedonasit? Shumë shpjeguese për këtë është edhe thënia e një akademiku maqedonas, dikur funksionar i lartë, se shqiptarët në shtet duhet të kenë më shumë, por ata vetë nuk duan dhe nuk dinë se si ta realizojnë këtë!
(2) Mentaliteti i popullit maqedonas dhe ai i popullit shqiptar në Maqedoni, të krijuar në vitet e para pas vitit 2001, ishin plot eufori dhe ngarkesa nacionale e nacionaliste, gjë që mund të shpjegohet me ngjarjet shoqërore-politike dhe me klimën konfliktuoze të kohës. Madje, edhe vetë euforia nacionaliste brenda institucioneve të asaj kohe ka shpjegimin e vet për atëherë. Në këto suaza kohore gjen shpjegim edhe çështja e zgjidhjeve gjysmë-puna për shqiptarët në Preambulë dhe në Kushtetutë, të dala nga Marrëveshja e Ohrit. Krejt këto, edhe pse gjejnë shpjegime, nuk gjejnë arsyetime as për atëherë e aq më pak për sot.
Sot, edhe pas kalimit të 25 viteve, në raport me shqiptarët në shtet ka shumë të dhëna dëshpëruese për sjelljen e disa institucioneve shtetërore dhe të disa partive politike me proveniencë maqedonase. Disa prej tyre duket qartë sikur akoma kanë ngelur të mbështjella me mentalitetin e para 20 e më shumë viteve. Madje, as para këtyre viteve duket se nuk kanë qenë kaq të mprehta kundër shqiptarëve! Kur përmendet atributi “proveniencë maqedonase” për shtetasit maqedonas, kjo nuk duhet marrë si fajësim për popullin maqedonas që e manifeston këtë për vete. Por, është e pamohueshme se disa nga partitë politike maqedonase, për një kohë të gjatë, e kanë ushqyer popullin me doza të tepruara mllefi ndaj shqiptarëve në emër të maqedonizmit. Aq sa, jo rrallëherë, në emër të maqedonizmit paraqitet një refuzim i qenësisë objektive të shqiptarëve. Është fjala këtu për forma dhe veprime “nacifikimi” të grupeve joformale, por edhe të disa partive politike maqedonase, të cilat gjejnë vend edhe brenda institucioneve shtetërore, varësisht se në çfarë shkalle është e “nacifikuar” udhëheqësia. Kjo është e paarsyeshme, sepse mentaliteti shqiptar, si politikë kombëtare dhe partiake këtu dhe më gjerë në Ballkan, asnjëherë nuk e ka mohuar shtetin maqedonas, kulturën, gjuhën apo kishën maqedonase, gjë që nuk ndodh me fqinjët e tjerë të RMV-së. Shqiptarët, shtetin e RMV-së dhe politikën shtetërore gjithnjë i kanë përkrahur dhe ngritur barabartë me ata të cilët në Preambulë dhe në Kushtetutë, si popull shtetformues, tapinë e shtetit e mbajtën vetëm për vete!
Jo vetëm që rezultatet e MO-së për shqiptarët në themel mbeten “nusprodukte”, por edhe ndaj tyre ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë një aversion dhe mungesë vullneti për implementim të plotë brenda afateve të kontraktuara. Kjo ka qenë evidente dhe është edhe sot nëpër institucionet shtetërore të niveleve të ndryshme, përfshirë sjelljen dhe funksionimin e të tre pushteteve: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Edhe pas 25 viteve nga Marrëveshja e Ohrit, në mënyrë toksike në RMV ekziston një sjellje negacioni, neglizhence e madje edhe aversioni gjatë konceptimit dhe përpilimit të rregullativave ligjore e nënligjore që kanë të bëjnë me shqiptarët. Prej vitesh kjo shfaqet si mungesë vullneti institucional, madje edhe si hile institucionale për zbatimin e pikave të kontraktuara në MO. Rastet që flasin për këtë janë të shumta, duke filluar nga injorimi i parimeve të MO-së dhe interpretimi i shtrembëruar i zgjidhjeve kushtetuese, siç janë interpretimet e ndryshme për gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në RMV. Gjithashtu, vërehet përpilimi vullnetar i ligjeve me vonesa të pajustifikuara, siç është rasti me Ligjin që duhet të zëvendësojë “Balanserin” në punësim. Zbatimi i pjesshëm ose pengimi i ligjeve, siç është ai për Inspektoratin e zbatimit të gjuhëve, mbetet një problem serioz. Zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve shpesh varet nga vullneti i individëve-udhëheqës: kur ministri është shqiptar ose i pangarkuar me intolerancë, ligji implementohet; sapo vjen një funksionar me prirje albanofobe, nis anashkalimi i tij.
Hile perverse institucionale mbetet moskrijimi i qëllimshëm i kushteve për Inspektoratin e mbikëqyrjes së gjuhës shqipe, duke mos i miratuar mjetet financiare apo punësimet e nevojshme. Si rrjedhojë, ndonëse ka pasur shkelje të panumërta, ky Inspektorat nuk ka shqiptuar asnjë sanksion.
Kaptinë në vete mbeten zgjidhjet e paplota në Kushtetutë për gjuhën shqipe, gjuhës së popullatës më se 30 % të gjithë popullsisë së RMV, e cila emërtohet si “gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve”. Po ashtu, mbetet çështja e moszbatimit konsekuent të decentralizimit fiskal, ekonomik e territorial, pikë kjo e rëndësishme e MO-së dhe kusht për anëtarësim në BE. Së fundmi, si “qershia mbi tortë” shfaqen angazhimet e Gjykatës Kushtetuese me qëllim rrudhjen dhe mohimin e zgjidhjeve ligjore ekzistuese.
Vazhdon…