Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi i bëri thirrje Kuvendit të RMV-së që për anëtarë në Komisionin kundër Diskriminimit të zgjedh profesionistë

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka shpallur thirrje publike për zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, ndërsa Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi kërkon që zgjedhja të bëhet mbi bazën e meritës, profesionalizmit, pavarësisë dhe paanshmërisë. Komisioni vlerësohet nga Komisioni Evropian si një institucion kyç për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe procesin e integrimit evropian. Duke u bazuar në përvojat e mëparshme dhe në Raportin e Progresit 2025, Rrjeti apelon që të respektohen rreptësisht kriteret ligjore për zgjedhje dhe të sigurohet përfaqësim i duhur. Rrjeti do ta monitorojë procesin dhe do të marrë pjesë në prezantimin publik të kandidatëve për të garantuar transparencë dhe përzgjedhje cilësore, transmeton Portalb.mk.

“Në seancën e mbajtur më 3.12.2025, Parlamenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut shpalli thirrje publike për zgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi kërkon që Parlamenti të zgjedhë ekspertë profesionistë, të pavarur dhe të paanshëm si anëtarë të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Komisioni, si një organ i pavarur për barazi, u njoh nga Komisioni Evropian si një organ që kontribuon ndjeshëm në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Organet e barazisë janë kyçe në mbrojtjen, promovimin dhe avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe janë të lidhura drejtpërdrejt me integrimin evropian të vendit”, thuhet në reagim.

Pas miratimit të Ligjit të ri për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Rrjeti thotë se pamë zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit që nuk i plotësojnë kërkesat e përcaktuara në Ligj dhe në thirrjen e publikuar. Siç është vënë në dukje në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2025 për Maqedoninë e Veriut, emërimi i anëtarëve të Komisionit duhet të bazohet në meritë dhe në përputhje me kërkesat ligjore. Prandaj, në pritje të zgjedhjes së tre anëtarëve të rinj të Komisionit, Rrjeti apelon dhe kërkon nga Parlamenti që t’i kushtojë vëmendje zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit, të cilët do të veprojnë në rastet kur qytetarët tanë më të margjinalizuar do të inkurajohen të raportojnë diskriminim.

“Duke pasur parasysh këtë, kujtojmë se kushtet për zgjedhje janë: të jesh shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, të kesh fituar 240 kredi ECTS ose nivelin VII/1 të arsimit dhe të kesh të paktën shtatë vjet përvojë pune në fushën e të drejtave të njeriut, pesë prej të cilave në fushën e barazisë dhe mosdiskriminimit, në kohën e zgjedhjes të mos jesh dënuar me burgim për më shumë se gjashtë muaj ose të të jetë ndaluar të kryejë një profesion, aktivitet ose detyrë me vendim të formës së prerë të gjykatës, dhe të mos kesh funksion në një parti politike.

Njëkohësisht, apelojmë që përbërja e Komisionit të marrë parasysh përfaqësimin e duhur.

Ashtu si me zgjedhjet e mëparshme për anëtarët e Komisionit, Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi do të monitorojë me kujdes përzgjedhjen dhe do të marrë pjesë në prezantimin publik të kandidatëve, me qëllim që të sigurohet që kandidatët të kenë përvojën e nevojshme ligjore për anëtarësim në Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi”, thuhet në reagimin e rrjetit.