Gjyqësori në kaos për lëndën e gazetares në rastin e 27 Prillit, reaguan Këshilli dhe Shoqata e Gjykatësve
Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shoqata e Gjykatësve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, lidhur me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me rastin e gazetares Natasha Stojanovska në rastin “27 Prilli“ dhe reagimet që ai ka shkaktuar në opinion, e konsiderojnë të nevojshme të theksojnë disa çështje parimore me rëndësi për pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe sundimin e ligjit, transmteon Portalb.mk.
Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shoqata e Gjykatësve të Republikës së Maqedonisë së Veriut thonë se e respektojnë statusin kushtetues të Gjykatës Kushtetuese dhe parimin se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të ekzekutueshme, ndërsa organet kompetente shtetërore janë të detyruara të veprojnë në përputhje me detyrimet që rrjedhin prej tyre.
Ata theksojnë e njëkohësisht, po aq i rëndësishëm është respektimi i pavarësisë dhe mëvetësisë së gjykatave të garantuar me Kushtetutë, rrjedha e procedurave gjyqësore të përcaktuara me ligj dhe e drejta për përdorimin e mjeteve juridike të parashikuara.
“Në rastin konkret, Aktvendimi P4-240/22 i Gjykatës Themelore Civile Shkup, i datës 4 maj 2026, nuk është i formës së prerë dhe kundër tij është paraqitur ankesë, për të cilën duhet të vendosë gjykata kompetente e shkallës së dytë. Prandaj, procedura ende është në zhvillim, ndërsa vlerësimi i ligjshmërisë së vendimit të shkallës së parë i takon vetëm gjykatës kompetente të shkallës së dytë”, thuhet në reagim.
Në këto rrethana, Këshilli Gjyqësor dhe Shoqata e Gjykatësve konsiderojnë se çdo veprim institucional që lidhet me vendimin konkret gjyqësor jo të formës së prerë kërkon kujdes dhe përmbajtje të veçantë, në mënyrë që të mos krijohet përshtypja e paragjykimit të rezultatit të procedurës ose e presionit ndaj gjykatësve që vendosin për rastin konkret.
Kujtojmë se pasi nuk e kishte zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykata e kishte njoftuar Prokurorinë dhe Këshillin Gjyqësor se një gjyqtar në Gjykatën Civile të Shkupit nuk e kishte respektuar vendimin.
Rasti ka të bëjë me 27 Prillin dhe cenimin e lirive dhe të drejtave të gazetarëve gjatë sulmit në Kuvend. Gazetarja Natasha Stojanovska e cila gjatë raportimit ishte përballur me cenim të të drejtave dhe ishte vënë në rrezik, nuk ishte mbrojtur nga organet shtetërore dhe dy gjykata e kishin refuzuar padinë e saj.