Këngë për devër gurabishë

Jetojmë në devër kameleonësh

ngado që kthehesh tenderokratë

o Millosh Gjergji zgjohu të shohish

Derri i kënaqur është bërë Sokrat

 

Si dje i forti të bën paçavër

ta helmon jetën n’shtëpin’ e babës

i tebdilosuri n’malukat tjetër

sahanlëpirësi Dulla i Baxhës

 

Si dje Kabili kur hëngri vëllain

mohoi gjakun për hatër t’njerkës

sot gurabija i tebdilosur

është katandisur në Danjoll t’Sherkës

 

Mbrëmë te Pallati i ëndrrës fjeti

sot e mohon: s’jam gurabi

idarja vëllezër më detyron

për respekt t’hallkut të bëhem fli

 

Dje rrënoi varre, mure e dyer

sot leh: e pata saçin mbi kokë

besoni Zotin nuk e kam lehtë

vuajtjet e mia s’maten me okë

 

Del shpesh e lahet n’televizione

thotë: fatkeqësisht s’më njihni ju

unë si i ndershëm vetëm t’pandershmit

i sakatos dhe i shqepi n’hu

 

Gjersa ciniku e tall një popull

që nuk di t’ndajë mjaltin nga balta

ne do t’u ngremë gurabive

ca përmendore goxha të larta

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.