Rrjeti kundër diskriminimit: Përzgjedhja e anëtarit të Komisionit po bëhet në mënyrë selektive dhe jotransparente

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi ka reaguar për mënyrën se si Parlamenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut po kryen zgjedhjen e një anëtari të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Sipas rrjetit, emrat e dy përfaqësuesve të organizatave që përbëjnë Rrjetin për Mbrojtje nga Diskriminimi nuk janë fare në listën e kandidatëve të regjistruar, transmeton Portalb.mk.

Nga rrjeti shtojnë se sot, në ueb-faqen e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut është publikuar rendi i ditës për seancën e nesërme të Komisionit për Zgjedhjet dhe Emërimet, me një pikë të vetme në rendin e ditës: Debat publik për përcaktimin e një propozimi – liste të kandidatëve të regjistruar pas Vendimit për publikimin e një njoftimi publik për zgjedhjen e një anëtari të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Bashkangjitur në rendin e ditës janë dokumentet për kandidatët e regjistruar, të cilat do t’i paraqiten Komisionit për Zgjedhjet dhe Emërimet nesër, duke filluar nga ora 11:00, dhe po atë ditë në orën 14:00, Komisioni do të mblidhet për të përcaktuar emrin e kandidatit që do të propozohet për emërim nga Parlamenti.

Megjithatë, emrat e dy përfaqësuesve të organizatave që përbëjnë Rrjetin për Mbrojtje nga Diskriminimi nuk janë fare në listën e kandidatëve të regjistruar.

Sipas nenit 18, paragrafi 2 i Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi:

(3) Komisioni për Zgjedhjet dhe Emërimet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut përcakton një propozim – një listë të kandidatëve të regjistruar, pas një debati publik të zhvilluar më parë dhe brenda 14 ditëve pas skadimit të afatit nga paragrafi (2) i këtij neni, ia paraqet atë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, së bashku me materialin nga të gjitha aplikimet e paraqitura dhe një raport nga debati publik i zhvilluar.

“Pra, duke pasur parasysh një nen të tillë, pyesim ku janë këto dy aplikime të paraqitura me rregull të kandidatëve që vijnë nga sektori civil? Procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të organeve të pavarura nuk duhet të zhvillohen në mënyrë jotransparente, selektive ose në mënyrë që lë dyshime në vendimet e marra më parë. Përkundrazi, ato duhet të bazohen në transparencë, trajtim të barabartë, pjesëmarrje, llogaridhënie dhe respektim të procedurave demokratike.

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi është një institucion kyç për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe barazisë, prandaj përzgjedhja e anëtarëve të tij duhet të frymëzojë besimin e publikut. Sot përballemi me një situatë paradoksale: të zgjedhim një anëtar të Komisionit për Parandalimin e Diskriminimit, ndërkohë që në mënyrë të pajustifikueshme pengojmë dy kandidatë që të paraqiten në një seancë publike dëgjimore”, thonë nga rrjeti

Rrjeti kërkon nga Komisioni për Zgjedhjet dhe Emërimet që të shpjegojë urgjentisht:

Në çfarë bazohet ky kufizim i të drejtës së kandidateve femra për t’u zgjedhur, si dhe sa kandidatë të tjerë që kanë paraqitur dokumente dhe kanë përmbushur kushtet e përcaktuara në Ligj nuk janë ftuar të paraqesin kandidaturat e tyre. Së fundmi, kërkojmë nga Parlamenti që të përgjigjet publikisht se cili është qëllimi i miratimit të ligjeve dhe procedurave dhe për kë zbatohen ato, kur ato padyshim nuk zbatohen për organet e Parlamentit!

Kujtojmë se deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut më 28 janar e zgjodhën Limko Bejzaroskin dhe Natasha Amdiun si anëtarë të Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.

Kandidatët e propozuar u miratuan me 62 vota “për” dhe një deputet abstenoi.

Kandidatja Xhihan Ahmed, dha dorëheqje pasi  u kritikua ashpër në opinion për paraqitjen e saj në intervistën publike, ku në vend që të fliste për Konventën e Stambollit, dokument thelbësor për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore dhe barazinë gjinore, ajo foli për Stambollin dhe periudhën e Ataturkut.