Avni Tahiri solli librin ‘Ura e Harrimit’, një udhëtim poetik mes kujtesës, identitetit dhe fatit kolektiv

Poeti dhe gazetari i Avni Tahiri ka sjellë para lexuesve librin e tij të katërt me poezi, “Ura e Harrimit”, një vepër që depërton thellë në botën e kujtesës, identitetit dhe përjetimeve njerëzore, shkruan Portalb.mk.

Autori Avni Tahiri, në një prononcim për Portalb.mk, thekson se “Ura e Harrimit” ka lindur si një nevojë e brendshme për të reflektuar mbi kujtesën, kohën dhe gjurmët që historia lë te njeriu.

Sipas tij, kjo vepër është një udhëtim i thellë shpirtëror që fton lexuesin të mos harrojë rrënjët dhe sakrificat e së kaluarës, duke përcjellë një mesazh të qartë: kujtesa na mban gjallë, ndërsa harresa na largon nga vetvetja.

Tahiri shpjegon se libri ndërton një univers poetik të bazuar në kujtesë, identitet dhe përjetime njerëzore, duke ndërthurur ndjeshmërinë personale me fatin kolektiv.

Në këtë frymë, një nga poezitë e librit shprehet:

Kjo tokë nuk harron.
I pret hapat e atyre që s’u kthyen.

Në çdo përrua, një fjalë e lënë përgjysmë,
Në çdo lis, një emër i gdhendur fshehur.

Këtu, mbetëm ne,
Të mbijetuarit e kujtesës,
Që mbajmë frymën e të tjerëve në krahë.

Ata që ikën
u bënë mjegull mbi male,
u bënë mall që s’ka trup.

Kjo tokë nuk harron.
Por ne, për të jetuar,
duhet të kujtojmë.

Në libër trajtohen tema universale si malli, humbja, shpresa dhe qëndresa, por edhe një realitet i dhimbshëm i kohës sonë, ikja e të rinjve, që lë pas shtëpi të zbrazura dhe kujtime të heshtura.

“Ajo që e bën këtë libër të veçantë është thellësia emocionale, forca e figuracionit poetik dhe aftësia për ta shndërruar kujtesën në art. Poezitë nuk janë vetëm rrëfime, por dëshmi shpirtërore që prekin ndërgjegjen e lexuesit”, thotë Tahiri.

Ndër poezitë përfaqësuese të librit veçohet “Aty ku u harruam”, një tekst i ngarkuar emocionalisht që pasqyron boshllëkun, mungesën dhe heshtjen e hapësirave të braktisura, si metaforë e një realiteti të përjetuar kolektivisht.

ATY KU U HARRUAM

U këput rruga si një damar,
në gjysmë të hapit, u ndalëm.
Askush s’na priti, askush s’na përcolli.
Edhe toka u bë e huaj,
si nënë që s’të njeh më.

Shkallët u zhveshën nga fëmijët,
porta s’u hap më për dasma,
dritaret s’u qeshën më nga gratë.
Gjithçka ra në një gjumë
që s’kishte mëngjes.

Teshat e vjetra varen ende në tel,
i rrah era, por s’i prek askush.
Në tryezë, kripa u bë gëlqere,
e buka, thërrime për harresën.

Ikën të gjithë me shpresën se do kthehen.
Kthimi mbeti si fjala e pambyllur.
Na lanë pas si faqet e fundit të një libri
që s’u lexua kurrë deri në fund.

Tani, vetëm zëri i kohës
na thërret për kafe në oborr,
po filxhani është bosh
dhe sheqeri mungon qëmoti.

Nën hije të pemëve të egra,
numërojmë vitet si rruaza
të një tespie pa fillim,
e çdo rruazë është një emër
që s’thirret më.

Dhe ne që mbetëm,
s’jemi më as njerëz,
jemi kujtime që ecin
me trup të rëndë,
hije që s’kanë më kujt
t’i bëjnë hije.

Presim fundin,
si një kandil që nuk fiket nga era,
por nga mungesa e syve
që e shohin.

Në fund, Tahiri nënvizoi se roli i poezisë në shoqëri mbetet i pazëvendësueshëm.

“Në një botë që ndryshon me ritme të shpejta, poezia mbetet strehë për shpirtin dhe kujtesë që na mban njerëz. Ajo është zëri i ndërgjegjes kolektive, që ruan kujtesën, ndriçon të vërtetën dhe i jep kuptim ekzistencës njerëzore”, përfundoi Tahiri.