RRGSH shënoi Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, Memeti: Shkenca nuk ka gjini

Rrjeti i Grave në Shkencë (RRGSH) i Maqedonisë së Veriut përmes konferencës shkencore në kuadër të projektit “Migrimi dhe të rinjtë” shënoi 11 Shkurtin – Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, raporton Portalb.mk.

Kryetarja e Rrjetit të Grave në Shkencë Drita Memeti për redaksinë e Portalb.mk theksoi rëndësinë dhe peshën që ka shënimi i kësaj dite në vendin tonë. Ajo thotë se është e rëndësishme që kjo datë të shndërrohet në traditë.

Sipas Memetit, në shoqëritë tradicionale është krijuar bindja se një grua duhet të mjaftohet me atë çfarë shoqëria i ofron, dhe qëllimi i RRGSH-së është që të ndikojmë në ngritjen e vetëdijes mbarë shoqërore për kapacitetet gjinore, sepse shkenca nuk ka gjini.

“Ne si RRGSH që nga themelimi si organizatë joqeveritare në vazhdimësi jemi përpjekur që të realizojmë aktivitete shkencore për të shënuar këtë ditë. Aktivitetet tona kanë për qëllim që të bëjnë bashkë gra dhe vajza të cilat e duan shkencën dhe dijen, ne në vazhdimësi përpiqemi që të krijojmë kushte të reja për bashkëpunim, të ofrojnë mundësi për këmbim idesh si dhe të kontribuojmë në krijimin e hapësirave sa më të përshtatshme që gratë dhe vajzat të bëhen pjesë e padiskutueshme e proceseve edukative, kërkimore dhe shkencore”, thekson Memeti.

Konferenca bëri bashkë përfaqësues nga organizata të ndryshme joqeveritare të cilat kanë në fokus ndër të tjera promovimin e aktiviteteve rinore dhe çështjet tjera që i tangojnë të rinjtë e vendit tonë.

Gjatë punimeve të konferencës një ditore përpara të pranishmeve u prezantuan edhe rezultatet e arritura nëpërmjet realizimit të hulumtimit shkencor i cili ka pasur për qëllim që të vij deri te identifikimi i shkaqeve kryesore që çojnë të rinjtë drejt migrimit.

Rrjeti i Grave në Shkencë shënoi Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë. Foto: RRGSH
Rrjeti i Grave në Shkencë shënoi Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë. Foto: RRGSH

Bazuar në rezultatet e mbledhura nga 223 të anketuarve, kryesisht të moshës 18-22 vjeç, nga RRGSH u konstatuan se ndër arsyet kryesore pse të rinjtë zgjedhin rrugën e migrimit janë mungesa e perspektivës në vend, politikat e gabuara institucionale, pagat e ulëta ku 19.73% e të anketuarve shprehin shqetësime për nivelet e pagave.

Korrupsioni dhe nepotizmi janë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në numrin e të rinjve të cilët duan të largohen nga vendi, ku nga numri total i të anketuarve 17.49% e të anketuarve janë deklaruar se mendojnë të largohen nga vendi për shkak të korrupsionit dhe nepotizmit.

Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve, 17.04%, përmendën një standard të ulët jetese, ndërsa 12.56% treguan mungesën e perspektivës për karrierë si një motivues kryesor për të konsideruar emigracionin.

Faktorë të tjerë të dukshëm përfshijnë dëshirën për të përmirësuar kushtet ekonomike (9.42%), pamundësinë për të gjetur punë në profesionin e tyre (7.17%) dhe dëshirën për avancim profesional (7.17%). Për më tepër, 7.18% kanë përmendur arsye të tjera.

Në përgjithësi, të dhënat nënvizojnë një grup kompleks konsideratash ekonomike dhe profesionale si forcat kryesore shtytëse për të migruar.

Rrjeti i Grave në Shkencë shënoi Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë. Foto: RRGSH
Rrjeti i Grave në Shkencë shënoi Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë. Foto: RRGSH

Memeti për Portalb.mk theksoi se aktivitetet e tyre shkencore në këtë projekt ishin të ndara në tre faza: hulumtim shkencorë, punëtori dy ditore dhe konferenca shkencore.

Ndryshe, konferenca u organizua nga Rrjeti i Grave në Shkencë në bashkëpunim me Platformën për Investim në Komunitet (CIP), financuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Fondacioni Albiz.