Revolucioni gjinor në arsim dhe shkencë në Maqedoninë e Veriut

Shkruan: Drita Memeti

Arsimi është baza e shoqërisë, është e drejta themelore njerëzore që i takon çdo kujt pa asnjë dallim dhe kjo e drejtë duhet të ju ofrohet të gjithëve që kanë ambicie dhe dëshirë për të ngritur karrierën e tyre në fushën e dijes.

Viteve të fundit në vendin tonë vërehet një ngritje e ndjeshme e numrit të vajzave që përzgjedhin të ndjekin arsimin e lartë në të tre ciklet e studimit, për dallim nga djemtë të cilët në të shumtën e rasteve me mbarimin e shkollimit të mesëm që është edhe i obligueshëm nuk vazhdojnë studimet.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në Republikën Maqedonia e Veriut, në vitin akademik 2022/2023 në shkollat fillore dhe të mesme të cilat me sistemin tonë arsimor janë edhe të obligueshme, janë regjistruar 185.099 nxënës nga i cili numër 89.676 janë vajza kurse 95.423 djem.

Bazuar në këto të dhëna, në vitin akademik 2022/2023 janë regjistruar gjithsej 53.821 studentë, nga i cili numër  30.969 prej studentëve janë vajza kurse 22.852 janë djem.

Rritja e numrit të vajzave që vazhdojnë rrugën e dijes vazhdon të vërehet edhe në Ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve,  ku sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave në ciklin e dytë të studimeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut titullin magjistër i shkencave dhe specialist e kanë fituar gjithsej 1883 persona, nga të cilët pjesëmarrja e vajzave/grave në numrin total të personave që kanë marrë gradën shkencore Magjistër i Shkencave në vitin 2022 është 61.3%.

Kurse sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në vitin 2022 titullin Doktor i Shkencave e kanë marrë 197 persona, ku nga ky numër 99 gra kanë mbrojtur disertacionin e doktoratës, që përfaqëson 50.3% të numrit total të personave që kanë doktoruar në të njëjtin vit.

Pra siç shihet nga këto të dhëna përveç se në arsimin fillor dhe të mesëm i cili është i obligueshëm, në ciklet tjera të studimeve dominon numri i vajzave dhe grave të cilat përzgjedhin të arsimohen që në të vërtet kjo paraqet edhe një “revolucion gjinor”. Kemi një numër kaq të madh të vajzave që mësojnë dhe neve na duhet t’ju krijojmë kushte dhe mundësi më të mira për të vazhduar me këtë elan që kanë.

Jo shumë kohë më parë neve si shoqëri na është dashur që të luftojmë për një vajzë të shkolluar, të thyejmë barriera, të zhdukim paragjykime të ngulitura patriarkale, sot vajza dhe gruaja shihet nga një prizëm tjetër, shihet si një njeri që ka njohuri, që mundë të bëj arsimimin dhe edukimin e brezave të ri, mund të shëroj njerëz, mund të ndërtojë shtëpi dhe pse jo mund të udhëheq me një shoqëri!