Angellovska-Bezhoska: Ballkani Perëndimor ka PBB më të ulët për 18 përqind për shkak të përfshirjes më të vogël të grave

Përfshirja e ulët e gruas në shoqëri nuk do të thotë humbje vetëm për vetë gratë, por do të thotë humbje për të gjithë shoqërinë, ka thënë në një intervistë për “Bloomberg Adria”, guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bejoska, transmeton Portalb.mk.

Sipas një analize të kryer nga Banka Botërore, ekonomitë në rajonin e Ballkanit Perëndimor humbin mesatarisht 18% të PBB-së (GDP) për shkak të përfshirjes më të ulët të grave në ekonomi, tha ajo.

Shkalla e aktivitetit të grave në rajonin e Ballkanit Perëndimor është mesatarisht rreth 45 përqind, ndërsa në BE kjo normë është rreth 70 përqind.

“Në vendin tonë, të dhënat janë të ngjashme, me shkallën e aktivitetit të grave rreth 45-46%, në ndryshim nga shkalla e aktivitetit të burrave, që është rreth 65%, që tregon hendek të madh. Jo vetëm që gratë janë më pak të përfshira në tregun e punës, por ato që janë të përfshira janë më pak të përfaqësuara në strukturat drejtuese në sektorin e korporatave, në sektorin publik, etj. Nëse shikojmë të dhënat e fundit të publikuara nga Bursa, pjesëmarrja e grave në strukturat menaxhuese, në kompanitë e listuara në vitin 2023 është rreth 23 përqind, që është një numër relativisht i vogël”, thotë guvernatorja Angellovska-Bezhoska.

Ajo vendosi në dukje edhe të dhënat se në vendin tonë pjesëmarrja e popullsisë së aftë për punë në totalin e popullsisë ka ardhur në rënie ndër vite, çka tregon se ka problem strukturor me mungesë të potencialit njerëzor, që është ndër faktorët kryesorë të rritjes. Nga ana tjetër, ekziston potencial i madh tek gratë që nuk janë aktive.

Banka Popullore në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të punojnë në një projekt me qëllim të përfshirjes më të madhe financiare të grave, njoftoi guvernatorja. Banka Popullore do të jetë koordinatore nacionale e këtij projekti, në të cilin do të përfshihen disa institucione, varësisht nga kompetencat. Qëllimi i projektit është të mundësojë përfshirje më të madhe të grave në shoqëri, veçanërisht për t’i ndihmuar gratë në fushën e ndërmarrësisë, që nënkupton qasje më të madhe në financa.