Meta fakt: Përfituesit e rinj të bursave studentore nuk morën pagesat këtë javë

Studentët që janë përfitues të rinj të bursave nuk i kanë marrë pagesat e para gjatë kësaj jave, siç ka bërë të ditur Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), prandaj deklaratën e Ministrisë së Arsimit dhënë për Meta.mk e konsiderojmë të pavërtetë.

Ministria e Arsimit është vonuar me pagesën e bursave për studentët – përfitues të rinj, të cilët kanë nënshkruar kontrata në janar. Ndërsa studentët që zgjatën të drejtën e tyre për bursë morën pagesat e para të hënën (gjithashtu më vonë se sa ishte paralajmëruar), përfituesit e rinj mbetën me mungesë fondesh për të gjithë javën.

Meta.mk më 31 janar ka dërguar pyetje në ministrinë kompetente se kur do t’u paguhen studentëve bursat dhe përkrahja financiare për transportin ndërqytetës.

Në përgjigjen e shkurtër të MASH-it thuhet:

“Urdhërat për pagesën e bursave për përfituesit ekzistues dhe shpenzimet e udhëtimit janë dorëzuar në thesar dhe presim që sot ose nesër të zbatohen. Ndërsa javën e ardhshme do të ketë pagesë për përfituesit e rinj të bursës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës që ka mbërritur më 1 shkurt (e enjte).

Megjithatë, përfituesit e rinj të bursave studentore nuk i kanë marrë pagesat e tyre, pavarësisht se një javë ka kaluar. Llogaritë e tyre të transaksionit nuk kanë marrë fonde për një muaj deri më tani.

Sipas kësaj, duket se Ministria e Arsimit dhe Shkencës po luan sërish me afatet që u jep studentëve, gjë që në fakt ka qenë arsyeja e protestave të studentëve që u zhvilluan të hënën para godinës së Ministrisë së Arsimit.

Duke qenë se përfituesit e rinj nuk kanë marrë asnjë këst të bursës, e konsiderojmë të pavërtetë deklaratën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës se “javën e ardhshme do të bëhet pagesë për përfituesit e rinj të bursave”.

Burimi:

Meta.mk: Një pjesë e bursave dhe mbështetjes për transport ndërurban për studentët do të paguhen deri nesër (01.02.2024)