Rreth një vit punime për rikonstruimin e 400 metrave të shëtitores buzë Drinit, Komuna e Strugës e vlerësoi si “projekt madhështor”

Pas një viti përfundoi rikonstruimi i shëtitores 400 metra të gjatë, rreth lumit Drinit të Zi në qendër të qytetit të Strugës. Përderisa zvarritja e tepërt e punimeve ndikoi në qarkullimin e të gjitha bizneseve që gravitojnë në këtë zonë, projekti i rikonstruimit të kësaj shëtitore kaloi mes shumë kritikash e skepticizmi në opinionin publik.  Autoritetet  komunale u akuzuan për mungesë transparence në realizimin e këtij projekti ndërkohë shumë qytetarë struganë nuk janë dakord me konceptin e ri të shëtitores, shkruan Portalb.mk.

Punimet për rikonstruimin e shëtitores filluan më 8 maj të vitit 2023 dhe sipas kontratës së lidhur mes Komunës së Strugës dhe kompanisë së kontraktuar punimet duhej të përfundonin brenda 75 ditësh megjithatë u deshën rreth një vit në ndërtimin e një shëtitore vetëm 400 metra të gjatë. Nga Komuna e Strugës zyrtarisht e uruan finalizimin e projektit përmes një postimi në “Facebook”, duke e cilësuar si projekt madhështor për qytetin e Strugës.  Për tu siguruar se premtimi është realizuar me sukses, kreu i Komunës së Strugës, Ramis Merko kishte dalë personalisht në terren.

Projektet urbane për të arsyetuar burime të konsiderueshme që dalin nga arka e pushtit lokal tashmë janë bërë normale për këshilltarin në Këshillin Komunal të Strugës, Nikolla Kukunesh, i cili edhe projektin në fjalë e vlerëson si të tillë. Kukunesh është pesimist se me përpikëri do të zbatohet ndalesa e lëvizjes së automjeteve brenda ditës në këtë pjesë të shëtitorës.

“Bëhet fjalë për një përvojë urbane që përmes të ashtuquajturit rindërtim, duhet të nxjerrë burime të konsiderueshme financiare nga arkat e Komunës. Legjitimitetin e kësaj dhe të gjitha ndërmarrjeve të ngjashme e kanë me shumicën e siguruar në Këshillin Komunal, ku funksionon pa të meta partneriteti LSDM – BDI. Ata përfituan nga një lëshim i pushtetit vendor të mëparshëm, i cili nuk ndryshoi Planin Urbanistik gjatë rikonstruksionit të mëparshëm. Kjo do të thotë se përkundër faktit se rruga është ndërtuar si rrugë për këmbësorë, ajo ka mbetur një rrugëkalim në dokumentet e planifikimit. Në mjedise normale ky nuk do të ishte problem, por ne nuk jemi. Është joreale të shpresojmë se pjesa e asfaltuar do të përdoret nga ora 6:00 deri në orën 09:00 për dërgimin e mallrave, kur më parë kemi qenë dëshmitarë të skuterëve elektrikë, motoçikletave dhe makinave që lëvizin në atë zonë”, deklaroi Nikolla Kukunesh.

Kukunesh mendon se struganët duhet të qendrojnë fuqishëm mbi propozimin e planit urbanistik dhe kjo shëtitore patjetër të kthehet në hapësirë vetëm për këmbësorë.

“Unë sinqerisht shpresoj që struganët do të qëndrojnë pas idesë për propozimin e një ndryshimi në plan urbanistik dhe që kjo lëvizje, ndërmjet urës së pazarit dhe urës së poezisë, t’u takojë vetëm këmbësorëve, me qëllim sigurinë më të madhe të tyre. dhe për t’i kthyer qytetit të paktën pak nga gjithë bukuria që i është marrë”, shtoi Nikolla Kukunesh.

Pas asfaltimit të pjesës të paraparë për lëvizje të automjeteve reagoi kryetari i degës së ASH-së në Strugë, Lulzim Nasufi i cili thotë se ky veprim vetëm sa dëshmon modelin klasik të keq-menaxhimit me institucionet publike në dëm të interesit publik dhe urban.

“Për këtë element të rëndësishëm urban në qytet, u përjashtuan qytetarët, biznesi dhe punëtorët turistik nga propozim-ideja dhe vendimmarrja. Jo transparencë në dizajnim dhe projektim, në botë për pika të këtilla, animohen arkitekt, shtëpi projektuese dhe shoqata të interesit. Jo transparencë gjatë zbatimit të punimeve, punimet u tej zgjatën (paramendoni për 400 m gjatësi asfalt – afër 400 dite punë) qytetarët edhe sot e kësaj dite akoma nuk e dinë se si do të duket, si do të formësohet kjo pjesë kaq e rëndësishme urbane e qytetit, asnjë tabelë për sqarim për Lejën e Ndërtimit, Projektin, Projektuesin, Zbatuesin, vlerën e punimeve, vizualizimin e hapsirës, Edhe pse punimet kanë nisur para një viti dhe me shumë reagime, nga organet ligj-zbatuese nuk kemi ndigjuar të kenë ndërrmarë ndonjë veprim për sqarim të procedurës së dhënijës së Lejës për ndërtim dhe zbatimit të punimeve, edhe pse bëhet fjalë për pronë publike, dhe pjesë të qytetit me interes vital të qytetarëve, etj, etj.” tha Lulzim Nasufi.

 

Edhe pse nga Komuna e Strugës projektin në fjalë e vlerësuan si madhështor për Strugën dhe qytetarët, qytetarët e anketuar nga Portalb.mk, nuk janë dakord me konceptin e ri të shëtitores. Siguria e tyre dhe fëmijëve është një nga shqetësimet kryesore. Edhe pse sipas një njoftimi të Komunës është thënë se regjimi i automjeteve do të jetë me orar të kufizuar në mëngjes për furnizimin e bizneseve që gravitojnë në këtë zonë , qytetarët shprehen skeptik se do të ketë një menaxhim të mirë të këtij propozimi. Problem tjetër përbën edhe përzgjedhja e pllakave me të cilat është shtruar kjo pjesë e shëtitores. Përveç pjesës estetike që nuk përputhen me dizajnin e pllakave në anën tjetër të shëtitores problem përbën dhe materiali i tyre i rrëshqitshëm.

“Thonë se pjesa e asfaltuar do të shërbejë për lëvizje të automjeteve me regjim të caktuar. Unë jam shumë skeptike për një menaxhim të mirë të këtij koncepti duke pasur parasysh faktin se edhe në periudhën kur shëtitorja ishte paraparë vetëm për këmbësor aty qarkullon persona me motorë pa asnjë problem e një kontroll. Paramendoni kush mundet ti ndalojë ato tash në pjesën e asfaltuar të paraparë për automjete”, thotë një qytetare.

“Këtij muhabeti i thonë në vend të vesh vetulla i nxjerr sytë. Pjesa e shëtitores për këmbësor është ngushtuar shumë dhe është bërë problem lëvizja. Pastaj pse duhet të ketë rrugë në mes të shëtitores kur të gjithë bizneset kanë rrugë nga pas nga ku mundet të furnizohen me mallra”, thotë një qytetarë tjetër.

“Me keqardhje them se ne bëjmë një hap para dhe pesë prapa. Me aq sa e shikojë ky projekt është një dështim. Më duket shumë i panevojshëm rruga për automjete mes shëtitores, pastaj dhe pllakat që janë shtruar në pjesën për këmbësorë janë zgjedhur pa asnjë kriter. Janë shumë të rrëshqitshme dhe përbëjnë rrezik për lëvizje”, u shpreh një qytetarë tjetër.

“Struga e bukur turistike që 4 shëtitoret rreth Drinit në qendër i ka të shtruara me pllaka të ndryshme.. e shikon ashtu të arnuar sa këtu sa aty edhe përkundër natyrës të bukur që ka të ngjan në një qytet të mjerë. Ndonjëherë më duket sikur me çdo kusht duan ta reflektojnë mjerimin që e kanë sjellë në këtë qytet”, shtoi një qytetare.

Rikonstruimi i shëtitoreve buzë Drinit, premtim elektoral i Merkos

Screenshot nga programi zgjedhor Agjenda e Blertë
Screenshot nga programi zgjedhor Agjenda e Blertë

Gjatë garës për të parin e Komunës, rikonstruimi i shëtitores buzë Drinit ishte një nga premtimet elektorale e kryetarit aktual të Komunës së Strugës Ramis Merko. Në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, mes tjerash thuhet se gjatë mandatit 2021-2025 do të rikonstruohen shëtitoret rreth Drinit të Zi, më konkretisht pjesët e shëtitores nga ura e “korzos” deri tek ura në rrugën “Partizanska”. Sidoqoftë, aktualisht është punuar vetëm në njërën anë të Drinit, sa i përket anës tjetër as nuk ka filluar ndonjë aksion e as nuk është njoftuar për ndonjë projekt të mundshëm.