Përballja me të kaluarën

Kur jehona për vëllazërinë ortodokse, kujtimet nga luftërat e së kaluarës dhe fuqia e propagandës janë në rritje veçanërisht në Ballkan dhe Evropën Lindore, gjithmonë priremi të mendojmë se diçka jo e mirë mund të ndodhë.

Njësitë speciale të ushtrisë serbe janë parë afër Banjskës, ka njoftuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ai i Srpska Republika Millorad Dodik, dhe Patriarku serb Porfirjem janë takuar para disa ditëve për të harmonizuar qëndrimet rreth “sfidave të popullit serb”. Më tej ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç e vizitoi Moskën ku është takuar me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov. Ndërkohë dy diplomatë të lartë amerikanë, James O’ Brien dhe Gabriel Escobar i kanë ripërsëritur qëndrimet rreth Kosovës e NATO-s. Ka një kohë të gjatë që kreu serb bashkë me disa intelektualë me anë të disa deklaratave e aksioneve po mundohen të ndezin një zjarr të ri në Ballkan. Njëherit këto veprime janë tregues të ringjalljes së miteve të vjetra, që gjatë dy shekujve të fundit kanë
prodhuar luftëra dhe keqkuptime të reja ndërmjet kombeve. Përhapja e gënjeshtrave bashkë me rritjen e ndjenjave kombëtare e fetare është parë gjithmonë si mënyra më e mirë për ta forcuar një projekt. Siç dihet pas 1800-ës, popujt kanë qenë në gjendje të komunikojnë më lehtë qoftë për të keq ose për të mirë.

Në këtë kontekst, idetë për kombe më të mëdha bashkë me një fe kryesore kanë qenë planet kryesore të fuqive të asaj kohe. Përveç figurave të larta politike dhe ushtarake, një mbështetje të fortë për idetë e mëdha kombëtare e fetare kanë ardhur nga elitat e ndryshme duke përfshirë këtu poetët, shkrimtarët etj. Për lexuesit tanë për rifreskim mund të përmendim librat “Lufta dhe Paqja” dhe “Ana Karenina” të shkrimtarit rus Leon Tolstoi, si një thirrje të memories nga historia e nacionalizmit dhe e ideve të mëdha për të ndihmuar vëllezërit ortodoksë kudoqfoshin.

Përdersia për Rusinë Cariste luftërat në Detin e Zi ishin të justifikueshme, për popullin rus jo, sepse e pagoi me një çmim të lartë egon e liderëve dhe zyrtarëve ushtarakë. Megjithatë Tolstoi në raportet nga luftërat në Detin e Zi, kishte artikuj objektivë, të cilat rrallë mund t’i gjesh sot në shtypin e Moskës nga një gazetar rus. Më vonë ai një kohë e kaloi në kampet e përqendrimit në Siberi. Në të njëjtën kohë, Fjodor Dostojevski si mbështetës i madh i nacionalizmit rus, kishte kritika për rrëshqitjen e vendit drejt izolimit e shkatërrimit. Pasi kishte qëndrime të kundërta, ai u internua në Siberi. Poashtu poeti kombëtar Aleksandër Pushkin një kohë shërbeu në Shën Petersburg, në zyrat e Ministrisë së Jashtme Ruse, por përshkak të kritikave ndaj Nikollasit I ai u dëbua në Siberi.

Në të njëtjën kohë, mendimtarë rusë kanë debatuar vazhdimisht për idenë e madhe të botës sllave e cila duhej bërë me anë të luftës. Kështu, Nikolla Danilevski, në vitin 1869 kishte shkruar se* “pavarësia sllave është e pamundur pa një luftë kundër botës gjermanike, dhe se Rusia duhet të përballet me detyrën e vështirë për të çliruar vëllezërit e saj”.* Përderisa figura të rëndësishme si Danilevski ëndërronin për një Rusi të fortë që do të ndihmonte popullatën ortodokse edhe në Balllkan, kjo në të vërtetë ndodhi. Në vitin 1877, lajmet në Rusinë Cariste për kryengritjen serbo-malazeze kundër Perandorisë Osmane u përhapën me shpejtësi. Vullnetarë rusë arritën në Ballkan për të mbështetur luftëtarët serbo-malazezë. Për habi disa ngjarje kanë prirje të përsëriten në marrëdhëniet në mes popujve. Në Rusinë e fund shekullit të 20 dhe fillim shekullit të 21, gjërat nuk kanë ndryshuar aq shumë. Vullnetarë rusë dhe aksione tjera në mbështetje të popullit serb kemi hasur gjatë viteve të fundit. Pavarësisht se të gjitha regjimet në Rusi kanë pasur një mbështeteje të madhe nga të gjitha shtresat, nuk kanë munguar zërat kritikë. Ndërsa historikisht në Serbi, kanë munguar figura të guximshme për të thënë të vërtetën. Në përjashtime ka pasur shkrimtarë apo gazetarë që kanë ngritur zërin kundër luftërave të padrejta të Serbisë kundër popujve fqinj. Kjo nuk ka qenë e pamjaftueshme, pasi politikanë dhe akademikë serbë, kanë qenë të përfshirë në luftërat kundër kombeve të tjera.

Në vitet e fundit, politika e Serbisë nuk ka ndryshuar aq shumë për sa u përket aksioneve subversive kundër shteteve të tjera. Në linjën e sulmeve është Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova e në veçanti pjesa veriore. Duke i mbështetur politikat e Dodikut në Bosnjë, Serbia ka të njëjtat qëllime si dikur Rusia e cila krijonte situata në favor të ideve të mëdha. Ka një ngjajshmëri të madhe në mes serbëve dhe rusëve në aspektin psikologjik të luftës, me akuza ndaj të tjerëve për gjithçka. Duke ekspozuar më shumë frikë, dhe kritika ndaj komunitetit botërorë, Serbia dhe Rusia veprojnë me të njëjtën faqe të mentalitetit. Krahasur me Rusinë, vetëm një gjë po ndryshon këtu. Sjellja e Perëndimit në marrëdhëniet me Serbinë është duke vazhduar me përpjekje për të ofruar Serbinë deri diku me BE-në dhe NATO-n. Por kjo si duket po bëhet në kurriz të shteteve të tjera të Ballkanit. Në këtë kontekst dikur SHBA -ja kishte ndërmarrë disa nisma për të ndryshuar kursin e Revolucionit Bollshevik të vitit 1917. Të pasuksesshëm u detyruan të përqendrohen në përparësi tjera të politikës së jashtme.

Disa kombe kanë të ardhme të ndritur, e disa kanë një histori të errët që nuk mund të shohin përpara. Duke qenë të mbërthyer në errësirë, gjithmonë mitet dhe ideologjitë do të drejtojnë të ardhmen e pasigurt të atyre kombeve me
ambicie për të përhapur errësirën te kombet e tjera. Bashkë me këtë si duket ju mungon shtresa e cila dikur pavarësisht zhvillimit ekonomik e politik kishin një qasje kritike ndaj luftërave të qeverive si Tolstoi e Pushkini. Këtu si duket më shumë zëra të tillë i mungojnë Serbisë. Serbia dhe shtete si ajo mund të presin ndihmë nga jashtë, por vazhdimi me të vjetrën mund të sjellë konflikte të panevojshme në Ballkan e gjetiu.

Kur Perandoria Ruse u përfshi në një garë konkurrence në Detin e Zi, më së shumti e pësuan popujt e pafajshëm, dhe sigurisht vetë rusët. A mund të bëjë më shumë populli serb dhe elita e tyre në drejtim të përballjes me të kaluarën, dhe pranimit të politikave të gabuara? Këtë do ta shohim në vazhdim, mbase duhet të presim një kohë të gjatë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.