Rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk do ta rrit çmimin e akomodimit të turistëve, thotë Asociacioni Hotelierik

Rritja e fundit e çmimit të rrymës, e cila ka hyrë në fuqi më 1 korrik, nuk do të shkaktojë goditje të re çmimi dhe nuk do t’i shtrenjtojë akomodimet turistike, sipas Asociacionit Hotelierik, Restoranteve dhe Kafeneve (AHRK). Sipas tyre, konsumatorët e vegjël apo kompanitë më të vogla do të marrin fatura të njëjta si më parë, ndaj nuk pritet rritje çmimi as në hotele dhe as në akomodime private, transmeton SDK.

“Këtë vit kemi përmirësuar çmimet. Shpresojmë që kjo rritje e çmimeve të mos jetë aq e ndjeshme dhe të kalojë më lehtë se vitin e kaluar. Ndryshe nga viti i kaluar, tani nuk ka pothuajse asnjë hotel që të mos ketë instaluar centrale fotovoltaike, dhe në këtë mënyrë harxhimet e energjisë elektrike janë ulur. Prandaj nuk presim ndikim më të madh në çmim”, thotë Krste Bllazeski, kryetar i AHRK.

Çmimet e akomodimeve gjatë sezonit turistik në brigjet e liqenit të Ohrit në hotelet me 4 ose 5 yje lëvizin nga 40 euro deri në 60 euro nata me mëngjes për person, të cilat sipas AHRK janë ende më të ulëtat në rajon.

“Për pozitën gjeografike ku ndodhemi, jemi ende një nga vendet më të lira nëse krahasojmë me Kroacinë, Malin e Zi, Greqinë dhe madje edhe Shqipërinë. Ne jemi ende nga kategoria e akomodimit më të lirë. Dhe ajo që është shumë e rëndësishme, shërbimet janë në nivel më të lartë”, shton Blazeski.

Sektori i hotelerisë e ndjeu fuqishëm krizën energjetike vitin e kaluar, për shkak të kostove të tepërta të shkaktuara nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Pikërisht për këtë, një pjesë e madhe e hoteleve në bregun e liqenit të Ohrit vendosën të mbyllën gjatë stinës së dimrit.