Rrëfime nga vendi i nostalgjisë

Oqeani duket si sipërfaqe e kaltër, e pafundme, e mistershme dhe metafizike. Anijet e ankoruara, të mezidukshme nga mjegulla shfaqen si në pikturat romantike. Mjegulla e ka ushqyer përherë artin dhe letërsinë. Artistët, me kokën nëpër re dhe dorën mbi zemër, përjetësuan çaste e detaje që u ikin syve të lodhur nga përditshmëria. Arti lind në pikën ku priten drita e terri, ëndrra e zhgjëndrra, realiteti e shajnia…

Valët e lehta, që përkëdhelin brigjet, të freskojnë shpirtin dhe të ngjallin kujtime për ngjarje të largëta. Të rikthejnë në ishullin e çiltërsisë dhe të ëndrrave, në ishullin e fëmijërisë, ku bota shfaqet me të gjitha ngjyrat.

Atlantiku nuk është vetëm oqean, por edhe simbol që qytetërimet, kulturat dhe traditat i dhanë kuptime të ndryshme. U quajt kufi mes botës së njohur e të panjohur; lidhje me botën e përtejme; fuqi e mistershme; portë drejt botës së re; rrezik që sprovon guximin e heronjve e detarëve; metaforë e pafundësisë dhe lirisë shpirtërore, por edhe simbol i lidhjes ndërmjet kombeve e kulturave.

Vendet pranë detit ose oqeanit u ekspozohen më shumë rreziqeve, por janë edhe më të hapura ndaj ndikimeve kulturore.

Në Lisbonë shfaqen këto ndikime. Falë tyre, ky qytet është një adresë e adhuruar nga turistët, të cilët mirëpriten nga portugezët e njohur për mirësjelljen dhe krenarinë për të kaluarën e tyre.

Përballë sipërfaqes së kaltër e madhështore mund të kujtosh edhe një poezi të Fernando Pessoa-s, i cili, me pak vargje, e përshkroi historinë tragjike të Portugalisë: “O det, det i njelmët, sa prej kripës sate / janë lot të Portugalisë! / Për të të përshkuar, sa nëna kanë qarë, / sa bij më kot u lutën! / Sa vasha mbetën të pamartuara / Që të bëheshe yni, o det! / A ia vlejti? Ia vlen mundi / nëse shpirti nuk është i vogël. / Kush dëshiron të kalojë Bahadorin, / Duhet të kalojë në anën tjetër të dhimbjes. / Rrezikun dhe honin Zoti i dha detit, / por në të ai vizatoi qiellin”.

QYTETI I BARDHË. Kryeqyteti portugez është plot gjallëri, bukuri, madhështi e histori. Lisbona ose “qyteti i bardhë buzë Atlantikut”, është ndër më të bukurit në Europë. Ka arkitekturën elegante, rrugët me kalldrëm, fasadat shumëngjyrëshe, kodrat mbresëlënëse, ashensorin Santa Justain, libraritë, sheshet e kafenetë, që qytetit i japin pamje autentike. Festat, festivalet, karnavalet dhe spektaklet e bëjnë atë qytet të artit dhe të kulturës. Aty mund të shijosh pastat dhe verën tradicionale, jetën e gjallë të natës dhe të shëtisësh nëpër lagjet që paraqesin mozaik kulturash.

Kështjella Sao Jorge (në shqip kështjella e Shën Gjergjit) është shumë e lashtë. Nga shekulli XII shërbeu si pallat mbretëror, kurse në shekullin XIV mori emrin e shenjtit mbrojtës të kalorësve. Rajoni pranë kësaj kështjelle shumë të vizituar nga turistët u pushtua nga keltët, fenikasit, romakët, visigotët e maurët. Pushtimet dëshmojnë se sa e vlefshme ishte Lisbona, e cila u përball me shumë sfida historike dhe katastrofa natyrore, por doli më e fortë, sepse njerëzit besuan se mund të tejkalonin çdo vështirësi. Se një komb, më shumë sesa nga fatkeqësia, mposhtet kur e humb vetëbesimin. Kombi në amulli e humb ndjenjën për nisma të reja, që sjellin mbrothësi shoqërore. Për ta ringjallur vetëbesimin, elitat mendore shpesh mbështeten te rrënjët kulturore e historike. Duke ia kujtuar kombit të arriturat historike, sakrificat dhe vështirësitë që kanë kapërcyer, e mbajnë ndezur në shpirtin e tij zjarrin e shpresës dhe të guximit për të triumfuar ndaj çdo pengese.

FADO është muzika popullore portugeze. Është ditari i shpirtit portugez. Këngëtarët e fados i kënduan detit, trishtimit pas një dashurie të humbur, dhimbjes që nuk shuhet, por edhe Lisbonës, që e krahasuan me një vajzë të re, të hirshme dhe të brishtë.

“Kur ndihem i vetmuar, këndoj për të harruar, por fado më kujton se dhimbja nuk ikën”. Ose: “Ai erdhi i heshtur buzë detit, / u ul pranë meje dhe heshti / në sytë e tij pashë një hije/ që më tregonte se s’do të kthehej më”.

TRAMVAJET E VERDHË janë simboli kulturor i Lisbonës. Të shëtisin nëpër historinë e qytetit, që shfaqet në formën e monumenteve, të katedraleve, të rrugëve dhe të shesheve. Ende lëvizin tramvaje me kabina druri, që kanë ruajtur pamjen tradicionale.

SPORTI. Lisbona është selia e dy klubeve më të suksesshme të Portugalisë: Benfikës dhe Sportingut, në rivalitet të përhershëm. Në qytet ka shumë pika ku shiten rekuizita sportive të këtyre klubeve, të kombëtares portugeze, por edhe të ikonës së futbollit, Ronaldos. Klubet dhe sportistët e dëshmuar i shërbejnë edhe ekonomisë së vendit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.