RMV, zgjedhjet e 8 majit do të ndiqen nga gati 2000 vëzhgues dhe gazetarë vendas dhe të huaj

Gati se 2000 vëzhgues, gazetarë dhe përkthyes vendas dhe të huaj do të ndjekin zgjedhjet e dyfishta të 8 majit në vend. Për monitorimin e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare janë akredituar gjithsej 1999 vëzhgues, nga të cilët numri më i madh ose 1078 janë vendas. Zgjedhjet do të monitorohen nga 770 vëzhgues të huaj, 66 gazetarë të huaj, ndërsa janë angazhuar 85 përkthyes, transmeton Portalb.mk.

Misioni i OSBE/ODIHR ka akredituar 410 vëzhgues dhe 14 ekspertë dhe nga ata vendas, numri më i madh, ose 752 vëzhgues, janë punësuar nga Shoqata për Zhvillimin e Inovacioneve Sociale “Wake Up”.

Zgjedhjet do të monitorohen nga 138 vëzhgues nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, komisioni ad hoc i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës me 33 vëzhgues, si dhe 68 vëzhgues nga Ambasada Amerikane në Shkup. 66 gazetarë dhe punonjës të medias nga mediat më të mëdha ballkanike dhe rajonale, si dhe nga Reuters, Associated Press, Al Jazeera dhe France Press, janë akredituar për të monitoruar zgjedhjet e dyfishta.

Ndryshe, sot të parët që ushtrojnë të drejtën e votës janë të sëmurët dhe të pafuqishmit, si dhe të burgosurit në INP në vend.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) njofton për MIA-në se për zgjedhjet presidenciale janë regjistruar 11.123 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, ndërsa për zgjedhjet parlamentare ky numër është më i madh për 102 votues, përkatësisht do të votojnë 11.225 të sëmurë dhe të paaftë.

Kujtojmë se në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale 2024 nga numri i përgjithshëm i votuesve 1.1814.317 votuan 867.000 qytetarë apo 49,94%, prej të cilëve numri i votave të vlefshme ishte 881.272 ndërsa vota të pavlefshme dolën 24.562. Në bazë të rezultateve të fundit, dallimi mes Bujar Osmanit dhe Arben Taravarit ishte mbi 37 mijë vota, ndërsa mes Siljana Davkovës dhe Stevo Pendarovskit ishte mbi 182 mijë vota.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet me 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.