RMV, vijon Konferenca vjetore “Viti i mundësive evropiane”

Vazhdon konferenca vjetore dyditore “Viti i Mundësive Evropiane” organizuar nga Qeveria. Do të mbahen tre sesione paneli, në të cilat do të diskutohet dhe do të bëhet një përmbledhje e politikave dhe masave të qeverisë të marra në vitin 2023, me fokus integrimet evropiane si proces kyç për vitin 2024, transmeton Portalb.mk.

Siç informon shërbimi për shtyp qeveritar, paneli i parë për ditën e sotme apo paneli 5 është “Bujqësia dhe zhvillimi i balancuar rajonal – mundësitë dhe perspektivat e BE-së”.

Dy panelet pasuese janë “Republika e Maqedonisë së Veriut – anëtare e sigurt e NATO-s me të ardhme evropiane” dhe “Investime në infrastrukturë dhe kulturë – një investim i përhershëm për gjeneratat e ardhshme”.

Konferenca mund të ndiqet online.

Konferencën e hapi dje kryeministri Dimitar Kovaçevski. U mbajtën katër panele: “Në rrugën drejt BE-së: Shfrytëzimi i mundësive për integrim të shpejtë”, “Investime në tranzicion energjetik dhe infrastrukturë për një mjedis të shëndetshëm dhe një të ardhme evropiane”, “Mundësitë evropiane përmes modernizimit të politikave sociale, arsimore dhe shëndetësore” dhe “Demokracia, drejtësia, efikasiteti – proceset reformuese për vlerat dhe standardet kyçe evropiane”.

Kujtojmë se dje Kovaçevski gjatë konferencës deklaroi se vendi ndodhet sërish para vendimeve të rëndësishme për ardhmërinë evropiane.

“Tani jemi para disa vendimeve. Të nevojshme, të vërteta, për disa të lehta, për disa më të vështira. Por për të gjithë ne, vendime që bartin përgjegjësi. Pasi që edhe ky vit është vit i vendimeve shumë të rëndësishme të brendshme, vendore. Si, me kë dhe në çfarë mënyrë, sa shpejtë dhe me cilësi do të vazhdojmë në rrugën e progresit. Pikërisht në vitin 2024, është vit kyç për përshpejtimin e reformave dhe integrimit të përshpejtuar të tregut të përbashkët evropian para anëtarësimit të plotë në BE”, tha Dimitar Kovaçevski.