Zjarr në një qendër tregtare kineze në Beograd, në shuarjen e tij të përfshirë helikopterë dhe 70 zjarrfikës

Një zjarr i madh ka rënë mëngjesin e sotëm në qendrën tregtare kineze në bllokun 70 në Beograd. Tymi i dendur që del nga qendra tregtare mund të shihet nga disa pjesë të kryeqytetit serb dhe më shumë se 70 zjarrfikës janë në terren. Sipas urdhrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, zjarri po shuhet edhe me helikopterë, transmeton H1.

Shefi i Departamentit për Situata Emergjente, Luka Çaushiq, tha për H1 se aksioni ishte kompleks, dhe nga qendra u dëgjuan disa shpërthime.

Çausiq informoi se nuk ka viktima apo të lënduar dhe se është e rëndësishme të parandalohet përhapja e zjarrit në ambientet që ndodhen prapa qendrës tregtare.

Një pjesë e madhe e kësaj ndërtese u shkatërrua nga zjarri në vitin 2021.

“Ndërtesa të tilla janë plot me lëndë djegëse. Ne kemi përvojë me shuarjen e pak më shumë se dy viteve më parë, kur arritëm të shpëtojmë 200 hapësira nga 360, por këtu zjarri shpërtheu shumë shpejt. Sot në mëngjes në 6:57 ka ardhur raport, vetëm për 2-3 minuta kanë ardhur njësitë tona, për 5 minuta kanë filluar ta shuajnë zjarrin, por zjarri ishte tashmë në fazën e flakëve”, tha Çaushiq.

Zyrtarët kanë paralajmëruar qytetarët dhe gazetarët që të qëndrojnë së paku 50 metra larg, pasi besojnë se një nga kioskat e ushqimit të shpejtë në qendrën tregtare ka bombola gazi që mund të ndizen, transmeton “Nova” serbe.

Në vendin e zjarrit dëgjohen shpërthime dhe dyshimet janë se bëhet fjalë pikërisht për bombolat e gazit që digjen.

Forcat e policisë kanë rrethuar qendrën tregtare dhe po pengojnë qytetarët t’i afrohen godinës që digjet.