RMV, vazhdon protesta e pensionistëve: Rritje lineare dhe pension minimal 18.000 denarë për jetë dinjitoze

Vazhdojnë pakënaqësitë e pensionistëve, të cilat nisën pak muaj më parë pas rritjes së pagave të “të zgjedhurve në shtet” me 78 për qind. Pakënaqësia po rritet edhe pas rritjes së fundit të pensioneve prej 5.3 për qind, ndërsa u paralajmërua rritje prej 6.8 për qind. Revolta po rritet edhe më shumë me paralajmërimin se nga fillimi i vitit të ardhshëm do të ketë rritje të re pagash për ata që kanë marrë 78 për qind më shumë këtë vit, transmeton Portalb.mk.

Sot në hyrje dhe dalje të Negotinës nga Gjevgjelia është vendosur bllokadë nga pensionistët të cilët me protestë paqësore kërkojnë standard më të lartë.

“Kërkojmë rritje lineare të pensioneve për pesë mijë denarë, pensioni minimal të jetë 18 mijë denarë. Kërkojmë të drejta më të mëdha dhe një jetë më dinjitoze”, thanë pensionistët në protestë.

Trafiku rregullohej nga policia, ndërsa automjetet u devijuan në rrugë alternative të qytetit. Pensionistët i lëshuan rastet emergjente, ndërsa të tjerët shkuan në Shkup dhe Gjevgjeli përmes Kavadarit.

Kujtojmë se ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska, para disa ditësh deklaroi se nuk parashihet rritje lineare e pensioneve, sepse siç tha ajo, duhet të merret parasysh stabiliteti i sistemit pensional.

“Pres që këtë javë të dorëzohet raporti i grupit punues, i cili do t’i dorëzohet Qeverisë që së bashku të vendosim se cilat masa shtesë do të miratohen në pakon e re të masave kundër krizës. Ndër këto masa nuk ka rritje lineare sepse një rritje lineare nuk përfiton të gjithë pensionistët. Me metodologjinë e re, vetëm për një vit e gjysmë pensioni më i ulët është rritur për gati 2200 denarë, dhe sipas rritjes së pensioneve do të vazhdojë të aplikohet metodologjia e re dhe do të shkojmë me atë që është zgjidhja ligjore tani për momentin. Do të kemi masa që do të nënkuptojnë të ardhura shtesë, mbështetje financiare për pensionistët, por do të mbulohen ata pensionistë me pensione të ulëta dhe që janë në kategorinë më vulnerabël”, tha Trençevska pas vizitës në kopshtin “13 Nëntori” me rastin e festës së fëmijëve.

Trençevska tha se si qeveri mbeten të hapura për të biseduar me pensionistët, por se nuk pajtohet me rritje lineare të pensioneve siç kërkohet nga pensionistët për shkak të stabilitetit të sistemit pensional.

Ajo theksoi se për një vit e gjysmë pensionet janë rritur për 24 për qind që nga janari i vitit të kaluar në përputhje me përshtatjen me shpenzimet e jetesës.

Pensionistët protestuan më 20 shtator, duke kërkuar rritje lineare të pensioneve për 3500 denarë, ndërsa pensionin minimal të jetë 45 për qind nga paga mesatare.

“Nivelizim i pensioneve është gjëja e parë që duhet bërë, që pjesa tjetër e pensioneve më pas të përshtatet sipas rritjes së pensionit minimal”,  reaguan pensionistët.

Në Maqedoni jetojnë rreth 330.000 pensionistë, shumica prej tyre, mbi 97.000, kanë pensione deri në 13.000 denarë.