Petra Balazhiç: Të rinjtë duhet ta kenë të qartë se kush shpërndan qëllimisht dezinformata

Meta.mk ka biseduar me Petra Balazhiç nga Qendra për Perspektiva Evropiane, të cilët punojnë në rajonin e Ballkanit Perëndimor në përballjen me dezinformatat. Ajo theksoi se përhapja e dezinformatave është çështje e sigurisë dhe stabilitetit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe se qasja për sa u përket dezinformatave duhet të përshtatet për grupmoshat e ndryshme. Balazhiç gjithashtu shtoi se sistemet arsimore në Ballkanin Perëndimor mund të funksionojnë më mirë dhe të avancohen në mënyrë që të kemi brez të ri, që është i aftë për mendim kritik. Intervistën e plotë mund ta lexoni në vazhdim:

A vlerësoni ju apo organizata juaj se problemi me dezinformat është çështje sigurie dhe stabiliteti?

Petra Balazhiç: Definitivisht, dezinformimi është çështje sigurie dhe stabiliteti. Mënyra se si dezinformimi funksionon, është t’i gjejë dhe shfrytëzojë dobësitë e shoqërive, për t’i copëtuar ato shoqëri.

Kur nuk ka kohezion social, siç përpiqet të bëjë dezinformimi, atëherë futesh në një situatë ku zbatimi i parimeve, standardeve dhe praktikave demokratike bëhet shumë i vështirë.

Keni antagonizma më të mëdha në shoqëri dhe kjo shkakton, në rastin më të keq, edhe agresion, dhunë dhe mungesë vullneti për të punuar për një të ardhme të përbashkët.

Na tregoni më shumë për projektet në të cilat po punon organizata juaj – Qendra për Perspektiva Evropiane, veçanërisht për projektin “Përforcimi i qëndrueshmërisë shoqërore dhe luftimi i dezinformatave të huaja në vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Petra Balazhiç: Qendra për Perspektiva Evropiane është një institucion i themeluar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane, e Sllovenisë. Që atëherë jemi zhvilluar dukshëm dhe tani realizojmë një numër të madh projektesh, me mjaft sukses. Me punën tonë të palodhur kemi dëshmuar se jemi të besueshëm dhe për këtë kemi shumë projekte në të cilat po punojmë.

Ne punojmë në projekte për bashkëpunimin rajonal, paqen dhe sigurinë, në komunikimet strategjike dhe natyrisht Forumin Strategjik kryesor të Bled, i cili është shumë i njohur në këtë pjesë të botës. Dhe kjo është me të vërtetë diçka për të cilën ne, si Qendër për Perspektiva Evropiane dhe si Slloveni, jemi vërtet krenarë. Kështu që nuk do të hyj në shumë detaje për projektet e tjera. Ju mund të lexoni më shumë për to në faqen tonë të internetit. Ato janë padyshim shumë interesante. Por kur bëhet fjalë për përforcimin e qëndrueshmërisë shoqërore dhe luftimin e dezinformatave në Ballkanin Perëndimor, është një projekt shumë ambicioz që po zbatohet nga viti 2020.

Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë, qëllimi kryesor i projektit, është që qeveria, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile të punojnë së bashku për të krijuar mekanizma kombëtarë për luftimin e dezinformimit. Të kesh një strategji do të thotë të dish se kush është në krye: Çfarë është dezinformimi në radhë të parë, kush është përgjegjës për ta kundërshtuar atë, si i komunikohet opozita popullit (?), si dhe cilët sektorë janë të përfshirë dhe në çfarë mënyre. Pra, i referohet gjithashtu asaj se cilët sektorë në qeveri janë përgjegjës dhe cilët sektorë socialë çfarë duhet të bëjnë.

Ky është një projekt shumë afatgjatë. Është shumë ambicioze në kontekstin aktual të Ballkanit Perëndimor, por ne po bëjmë maksimumin dhe jam e lumtur të them se Maqedonia e Veriut po ecën shumë mirë në këtë fushë, veçanërisht në krahasim me partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Por ne shpresojmë që edhe në ato vende, së shpejti do të shohim përparime për sa i përket zbatimit të projektit.

Gjithashtu do të doja të përmendja një projekt tjetër që ka qenë shumë i suksesshëm dhe zgjerim i projektit që sapo përshkrova, që është Shkëmbimi Evropian i Diplomacisë Digjitale. Ky është një projekt i përqëndruar në mënyrë proaktive në përforcimin e rezistencës shoqërore ndaj dezinformimit, përmes komunikimeve të suksesshme strategjike të qeverive me shoqëritë, në mënyrë që të imunizohen shoqëritë kur bëhet fjalë për dezinformimin. Ky projekt ka gjashtë vjet që po funksionon dhe ka qenë vërtet shumë i suksesshëm. Dhe kjo përfshin jo vetëm Ballkanin Perëndimor, por edhe vendet e Partneritetit Lindor, Ballkanin dhe Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë.

Një nënpyetje në lidhje me këtë. Ju thatë se ideja është që qeveria, sektori civil dhe mediat të ulen në të njëjtën tryezë dhe të diskutojnë strategjinë për të luftuar dezinformimin. A mendoni se kjo është e mundur?

Petra Balazhiç: Duhet të besoj se është e mundur. Edhe unë e bëj atë. Unë besoj, sinqerisht besoj në zemrën time se është e mundur. Mendoj se duhet kohë. Mendoj se na merr shumë energji. Kërkon një investim si në aspektin kohor ashtu edhe në zhgënjimet e shumta që hasim gjatë rrugës. Kjo nuk na pengon. Dhe vërtetë besoj se ka një dritë në fund të tunelit. Mendoj se ka kuptim që në një farë mase ka mosbesim mes sektorëve të ndryshëm.

Ka shumë njerëz që nuk kanë pasur përvoja të mira në të kaluarën, por mendoj se nëse vazhdojmë këtë dialog, mund ta rindërtojmë këtë besim. Dijeni, të kesh tre njerëz të mirë mjafton për të bërë një hap përpara. Natyrisht ne shpresojmë se janë më shumë se tre, por kemi besim se me kalimin e kohës do të fitojmë më shumë njerëz dhe do të jemi në gjendje të rindërtojmë besimin.

Këtu dua të përmend se në qershor në Portorozh të Sllovenisë kemi pasur një trajnim rajonal për të luftuar dezinformimin. Na u bashkuan në Portorozh përfaqësues të çdo qeverie të Ballkanit Perëndimor, nga mediat e Ballkanit Perëndimor dhe nga sektori civil i Ballkanit Perëndimor. Pra, edhe një herë kishim njerëz nga të tre sektorët që punonin së bashku në një tryezë. Gjërat nuk shkonin gjithmonë mirë, por përfundimisht pashë një ndryshim qëndrimesh. E pashë që dialogu vazhdon dhe kjo është një shenjë e mirë që kur të mblidhemi të gjithë herën tjetër, do të mund të bëjmë një hap përpara.

Petra Balazhiç, dezinformim
Petra Balazhiç, menaxhere projektesh në Qendrën për Perspektiva Evropiane

Organizata juaj kohët e fundit botoi një publikim të titulluar “Lufta informative dhe lufta për të vërtetën – Taktikat dhe efektet e dëmshme të dezinformatave të huaja në Ballkanin Perëndimor”. A mund të na thoni shkurtimisht cilat janë pikat kryesore të këtij publikimi?

Petra Balazhiç: Publikimi më i ri që Qendra për Perspektiva Evropiane publikoi në kuadër të projektit “Përforcimi i qëndrueshmërisë shoqërore dhe luftimi i dezinformatave të huaja në vendet e Ballkanit Perëndimor” vërtetoi se dezinformimi është shumë i pranishëm në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se ato kanë një efekt të madh të dëmshëm në shoqëritë në tërësi.

Ajo që dua të them me këtë është se dezinformimi është pjesë e fushatave me ndikim të gjerë. Kjo do të thotë se ata nuk synojnë vetëm hapësirën e lajmeve, por hapësira e lajmeve është vetëm një pjesë e enigmës së fushatave me ndikim. Ajo ndikon në ekonomi. Ajo ka një ndikim në diplomaci dhe ndikon në marrëdhëniet me partnerët tanë euroatlantikë. Prandaj, është me të vërtetë e rëndësishme, para së gjithash, të jemi të vetëdijshëm se ka dezinformata, se është pjesë e një tabloje më të gjerë dhe se në këtë moment, në Ballkanin Perëndimor ne ende nuk mund ta përballojmë atë në mënyrë efektive. Dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të vazhdoni të punoni për të. Dhe kur bëhet fjalë për ndërgjegjësimin, do të thotë gjithashtu të jesh në gjendje të kesh hulumtime dhe institucione të përkushtuara për të hetuar këtë fenomen në një mënyrë sa më të organizuar.

Organizata juaj, ose ndoshta ju si individ, keni përvojë me perceptimin ndaj narrativave dezinformuese në Ballkanin Perëndimor dhe si të rinjtë nga rajoni shpesh shënjestrohen, a mendoni se të rinjtë janë posaçërisht të cenueshëm ndaj këtyre llojeve të narrativëve malinje?

Petra Balazhiç: Projekti ynë nuk merret posaçërisht me të rinjtë. Megjithatë, të rinjtë janë pjesë e shoqërisë dhe ne padyshim që e kuptojmë edhe këtë. Shumë herë kur kemi biseda me partnerët tanë, kjo është diçka që shfaqet. Të rinjtë janë po aq të cenueshëm sa çdo pjesë tjetër e shoqërisë, por në një mënyrë tjetër.

Mënyrat në të cilat dezinformimi arrin tek ata është i ndryshëm nga mënyra se si ai arrin te brezat e vjetër. Pra, ajo që është e rëndësishme në këtë pjesë është të shikojmë se si dezinformimi arrin tek ata dhe cila është mënyra më e mirë për t’u komunikuar të rinjve se dezinformata është me të vërtetë dezinformim, se duhet të kundërshtohet dhe t’i bëjë ata të besojnë se ka shpresë, se ata nuk duhet domosdoshmërisht t’i dorëzohen apatisë që po rritet tek brezat e rinj. Kjo është diçka që mund ta arrijmë nëse u japim perspektivën e duhur dhe sigurohemi që ata ta dinë se pavarësisht përpjekjeve për t’i bindur se nuk ka rrugë përpara, veçanërisht kur bëhet fjalë për Bashkimin Evropian ose euro-atlanticizmin në përgjithësi, ata duhet të jenë në gjendje të besojnë se vetëm për shkak se njerëzit e këqij nuk duan të mendojnë se ka një rrugë përpara, nuk do të thotë se nuk ka një të tillë.

Inteligjenca artificiale është zhvilluar shumë shpejt kohët e fundit dhe ndikimi i saj si një mjet i mundshëm për prodhimin masiv të dezinformatave po debatohet tani, dhe është diçka që disa njerëz e shohin si një sfidë të re shumë, shumë të rrezikshme. A keni ndonjë mendim se çfarë mund të bëjmë për këtë çështje?

Petra Balazhiç: Unë nuk jam eksperte për inteligjencën artificiale. Megjithatë, mënyra si e shikojmë është se është një teknologji e re, një teknologji në zhvillim. Në çdo moment të historisë njerëzore, ne kemi hasur teknologji të reja, dhe në çdo moment të historisë, këto teknologji të reja janë parë nga disa si një kërcënim dhe nga të tjerët si një mundësi. Ajo që duhet të bëjmë, e cila është përgjegjësia jonë, është të sigurohemi që aftësitë e AI të tejkalojnë dëmin që mund të shkaktojë AI.
Pra, nuk ka të bëjë me mjetin, ka të bëjë me mënyrën se si e përdorni atë. Dhe mendoj se ka mundësi të shkëlqyera me AI për të plotësuar në fakt punën tonë dhe për të na ndihmuar të luftojmë dezinformimin në mënyrë më efektive, duke qenë të vetëdijshëm se disa do ta përdorin këtë mjet për përfitimin e tyre. Pra, është e rëndësishme që të bëjmë më të mirën që mundemi dhe të qëndrojmë një hap përpara në krahasim me kundërshtarët tanë.

Ndoshta dëshironi të shtoni diçka për të rinjtë?

Petra Balazhiç: Po, sa i përket mënyrës se si mund t’i ndihmojmë të rinjtë që të jenë më rezistent ndaj dezinformatave. Siç e përmenda, duhet të kuptojmë se brezat punojnë ndryshe dhe kanë sfidat e tyre. Pra, për gjeneratat e vjetra, përdorimi i sferës digjitale mund të jetë një sfidë më vete. Dhe është e rëndësishme t’u mësojmë brezave të vjetër se si të “lëvizin” nëpër sferën digjitale dhe t’u shpjegojmë atyre se jo gjithçka që shkruhet në internet është e vërtetë.

Brezat e rinj nuk e kanë këtë problem. Brezat e rinj janë rritur me tableta, kompjuterë dhe smartfonë. Ata dinë ta përdorin atë hapësirë. Ata ndoshta e dinë se si ta bëjnë këtë më mirë se çfarë mund të bëjnë gjeneratat e vjetra: Gjenerata X apo edhe Mileniumët. Ajo që është e rëndësishme për ne tani nuk është t’u tregojmë atyre se si të lundrojnë në atë hapësirë ​​dhe nuk është t’u themi se jo gjithçka që shkruhet në internet nuk është e vërtetë. Ata e dinë atë. Por ne duhet të jemi në gjendje të komunikojmë me ta në mënyrë aq efektive dhe tërheqëse sa bëjnë kundërshtarët. Pra, ne duhet të sigurohemi që ata të dallojnë kur diçka ka qëllim keqdashës dhe kur diçka jo. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme. Dhe unë mendoj se mënyra kryesore për ta bërë këtë është përmes edukimit dhe të menduarit kritik. Dhe nuk është e nevojshme të kesh arsimim mediatik, edhe pse është e rëndësishme, por ka edhe mendim kritik që është më i përgjithshëm.

Dhe kjo është diçka ku unë mendoj se sistemet arsimore në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Slloveni, mund të funksionojnë më mirë dhe duhet të përmirësohen vazhdimisht në mënyrë që të kemi një brez të ri të aftë për të menduar kritik. Pra, kur ata marrin informacion, ata mund të bëjnë gjykimin e tyre nëse ka kuptim apo jo. Por është shumë e vështirë kur në njërën anë ke një grup njerëzish që nuk ndjekin asnjë rregull, nuk respektojnë asnjë kufizim etik, ose kur mund të bëjnë çfarë të duan.

Nga ana tjetër, duhet të punoni në mënyrë specifike sipas rregulloreve që duhen ndjekur për të qenë i besueshëm. Sigurisht që është e vështirë. Është e vështirë që ne duhet të ndjekim disa rregulla ndërsa kundërshtarët tanë jo. Por kjo është ajo që duhet të vlerësojmë tek vetja, që duhet të jemi të lumtur që kemi marrë përsipër të zbatojmë këto rregulla.