Bekteshi: Çmimi i energjisë elektrike do të mbetet i njëjtë edhe pas 1 janarit

Energjia elektrike nuk do të shtrenjtohet pas 1 janarit. Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) do të mund të ndërhyjë në çmim, nëse konstatohet se llogaritjet nuk janë bërë si duhet. Me ndryshimet e fundit në Ligjin për Energjetikë kemi futur një furnizues universal të cilit i skadon mandati vitin e ardhshëm dhe ka filluar procedura për një furnizues të ri universal, tha sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pas njoftimeve se KRRE prej tani nuk do të përcaktojë çmimin e energjisë elektrike, por këtë do ta bëjë EVN Home, transmeton Portalb.mk.

Ministri theksoi se edhe pas 1 janarit 2024 sistemi tarifor do të jetë i njëjtë. Sipas tij, kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski, do të ketë të drejtë të ndërhyjë në çmim, nëse konstatohet se llogaritjet nuk janë bërë drejt.

“Nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike pas 1 janarit, si në blloqe ashtu edhe në përgjithësi. Duam të mbrojmë gjithnjë e më shumë kategoritë e rrezikuara të qytetarëve dhe ata që kursejnë”, tha Bekteshi në një deklaratë për media.

Se kush do ta ketë fjalën e fundit në përcaktimin e çmimit, Bekteshi është decid se do të jetë Komisioni Rregullator pasi siç thotë ai do të mbikëqyrin nëse mënyra e përllogaritjes sipas sistemit tarifor është bërë drejt.

Kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut është regjistruar rritje e çmimit të energjisë elektrike gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, ashtu që 6.737 denarë është KWh.

“Në gjysmëvjetorin e parë të vitit 2023, çmimi mesatar i energjisë elektrike për amvisëri në Republikën e Maqedonisë së Veriut është 6.737 denarë për KWh, që paraqet rritje për 3.9 % krahasuar me gjysmëvjetorin e dytë të vitit 2022”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Enti sqaroi që çmimi për KWh, varësisht nga grupi i konsumatorëve, sillet nga 6.980 denarë deri 11.744 denarë.

Maqedonia e Veriut gjatë muajin korrik ka harxhuar energji elektrike në vlerë prej 483 722 MWh, derisa pjesa më e madhe e energjisë prodhohet në vend nga termocentralet.