Bislimoski: Nga dhjetori në RMV fillon tarifa e lirë ditore e energjisë elektrike

Nga dhjetori në RMV, në periudhën nga ora 13:00 deri në 15:00, do të fillojë tarifa e lirë ditore për energjinë elektrike, tha kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (KRRE), Marko Bislimoski, transmeton Portalb.mk.

Përveç kësaj periudhe të ditës, Bislimoski tha se tarifa e lirë do të vazhdojë të vlejë edhe për orët e natës, që nga ora 22:00 deri në ora 07:00 të mëngjesit.

Tarifa e lirë ditore po rikthehet pasi që u hoq më 1 janar 2022, kur kishte rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Sipas Bislimoskit, kriza energjetike e rriti ritmin e tranzicionit energjetik dhe investimet në burime të rinovueshme me çka, siç thotë ai u ul dukshëm çmimi i energjisë elektrike gjatë ditës dhe u krijuan kushte që amvisëritë të mund të përdorin energjinë elektrike ditore më të lirë.

“Vendi jonë, ashtu si gjithë Evropa, u përball me një krizë energjetike, por ishte edhe motivuese për të gjithë dhe u fillua cikli intensiv i investimeve në kapacitetet që prodhojnë energji elektrike nga burime të rinovueshme të energjisë. Ne atë e quajtëm “Eldorado të investimeve të rinovueshme”.”, theksoi Bislimoski në takimin trepalësh të Asociacionit të Energjisë Mesdhetare MEDREG, Bordit të Rregullatorëve të Bashkësisë Energjetike dhe Këshillit të Rregullatorëve Evropiane të Energjisë.

Ai theksoi se gjatë krizës energjetike, kapaciteti i instaluar në vend është rritur për 20 përqind, ndërsa frika nga faturat e larta rezultoi të  jetë motivimi më i madh për të filluar një cikël intensiv investimi, i cili dha rezultate. Siç tha Bislimi, me këtë është zvogëluar varësia nga importi tradicional prej 30 përqind, është përgjysmuar dhe tani është 15 përqind për muajt e parë të vitit.

“Hapi tjetër është ridizajnimi i ndihmës për kategoritë e cenuara dhe  dukshëm të rritet ndihma për ata persona që kanë nevojë për të”, tha Bislimoski.

Në takim, siç kanë informuar nga KRRE, Bislimoski, e ka prezantuar iniciativën me të cilën kategoritë e cenuara duhet të marrin ndihmë më të lartë për faturat e ngrohjes dhe energjisë elektrike

“Subvencionet i kanë ulur dukshëm faturat e energjisë elektrike dhe ngrohjes dhe ky përfitim është për të gjithë qytetarët, por tani duhet të përforcohet mekanizmi ndaj kategorive më të cenuara dhe të marrin ndihma financiare më të larta për faturat, tha Bislimoski.

Presidenti i MEDREG, Abdelativ Bardah paralajmëroi se është e nevojshme që vendet të punojnë në një qasje gjithëpërfshirëse të energjisë për konsumatorët dhe reformat në sektorin e energjisë të vazhdojnë pavarësisht nga zhvillimet gjeopolitike.

Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit së fundmi në Asamblenë e 35-të të Përgjithshme u bë anëtare e plotë e MEDREG, e cila bashkon 27 vende anëtare që gjeografikisht i përkasin  rajonit të Mesdheut.

Kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut është regjistruar rritje e çmimit të energjisë elektrike gjashtë gjashtë muajve të parë të këtij viti, ashtu që 6.737 denarë është KWh.

“Në gjysmëvjetorin e parë të vitit 2023, çmimi mesatar i energjisë elektrike për amvisëri në Republikën e Maqedonisë së Veriut është 6.737 denarë për KWh, që paraqet rritje për 3.9 % krahasuar me gjysmëvjetorin e dytë të vitit 2022”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Enti sqaroi që çmimi për KWh, varësisht nga grupi i konsumatorëve, sillet nga 6.980 denarë deri 11.744 denarë.

Maqedonia e Veriut gjatë muajin korrik ka harxhuar energji elektrike në vlerë prej 483 722 MWh, derisa pjesa më e madhe e energjisë prodhohet në vend nga termocentralet.