RMV, rekomandime nga KSI kundër përhapjes së gripit, gjysmëvjetori i dytë për nxënësit do të fillojë në kohë

Kryetari i Komisionit për Sëmundjet Infektive, Aleksandar Petliçkovski, vlerësoi që tani për tani nuk ka nevojë për diçka më serioze, përkundër faktit se javën e ardhshme fillon gjysmëvjetori i dytë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Fillon viti shkollor. Për momentin nuk ka rrezik që të ndodhë diçka speciale dhe kjo është një kujtesë për masat higjienike. Për momentin nuk ka nevojë për diçka më serioze”, ka thënë Petliçkovski, përcjell MIA.

Drejtoresha e Klinikës infektive, Milena Stevanoviq informoi se nga fillimi i sezonit, kanë vdekur gjashtë persona me grip.

“Rasti i fundit, bëhet fjalë për femër të rreth 45/46 vjeçare me komorbiditete. Në këtë moment, shtatë persona janë hospitalizuar në Klinikën infektive, pesë me vërtetim, ndërsa për dy pritet. Gjashtë persona janë hospitalizuar me Kovid-19”, sqaroi Stevanoviq.

Ndryshe, vaksinimi kundër gripit sezonal është mbrojtja më efektive kundër kësaj sëmundjeje. Instituti i Shëndetit Publik rekomandon vaksinimin e të gjithë popullatës, veçanërisht personave nga grupet e rrezikut – personat mbi 65 vjeç, fëmijët, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, si dhe punonjësit e shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë ofroi një vaksinë katërvalente falas prej 60 mijë dozash, të destinuara për grupet prioritare të popullsisë. 15,000 doza shtesë janë siguruar përmes dhurimit. Vaksinimi kundër gripit sezonal ka filluar më 25.10.2023. Në javën e parë të këtij viti janë vaksinuar gjithsej 60.766 persona me vaksinë falas ose komerciale.