RMV, për një javë ndërruan jetë dy persona nga gripi, nuk ishin vaksinuar

Gjatë javës së parë të vitit të ri kalendarik janë regjistruar dy vdekje të lidhura me gripin, sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, i cili i referohet situatës me gripin në vend. Në të thuhet se bëhet fjalë për persona të moshës 56 dhe 61 vjeçare nga Shkupi dhe Kumanova të cilët janë shtruar në Klinikën e Pulmologjisë dhe Alergologjisë, transmeton Portalb.mk.

“Tek personat e vdekur është konstatuar prania e sëmundjeve shoqëruese (kardiovaskulare dhe pulmonare) dhe nuk janë vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal. Tek personat e vdekur është konfirmuar laboratorikisht gripi A(H1)pdm09”, thuhet në raport.

Gjatë javës së parë, në vend u raportuan 1025 raste me sëmundje të ngjashme me gripin, që është 2.5 herë më shumë se një javë më parë. Numri i të regjistruarve këtë javë krahasuar me javën e parë të sezonit të kaluar është rritur me 24.8 për qind.

“Ka një rritje të numrit të sëmundjeve të ngjashme me gripin, që për herë të parë këtë sezon është mbi kufirin javor për aktivitet sezonal. Rezultatet e marra nga mbikëqyrja virologjike e gripit tregojnë se ka një aktivitet të gjerë të virusit të influencës. Përqindja e pozitivitetit ka qenë mbi 10 për qind për tre javë rresht. Sipas këtyre të dhënave kemi një intensitet të lartë të aktivitetit të virusit të gripit”, theksojnë në raport epidemiologët pranë ISHP-së.

Ndryshe, nga 1025 raste të regjistruara, 544 persona janë nga 15 deri në 64 vjeç, 233 janë fëmijë nga 5 deri në 14 vjeç, 185 janë fëmijë nën 4 vjeç dhe 63 janë persona mbi 65 vjeç. Incidenca më e lartë (191.7/100.000) është regjistruar te fëmijët deri në 4 vjeç.

Nëse shikohen shifrat sipas muajve, vihet re se në tetor ka pasur 196 raste, në nëntor – 268, në dhjetor janë regjistruar 829 raste, ndërsa në janar, numri është më i larti me 1025 raste të gripit.

“Në sezonin e deritanishëm të gripit janë regjistruar katër persona të vdekur të lidhur me gripin, dy nga Shkupi dhe nga një nga Kumanova dhe Shtipi, nga dy nga grupmosha 15-64 dhe mbi 65 vjeç. Të gjithë të shtruar në spital, me sëmundje shoqëruese dhe të pavaksinuar kundër gripit sezonal”, thuhet në raport.

Sa i përket vaksinimit, që nga java e parë e vitit të ri, në Maqedoni, gjithsej 60.766 persona janë vaksinuar me vaksinë falas ose komerciale.

“Vaksinimi kundër gripit sezonal është mbrojtja më efektive ndaj kësaj sëmundjeje. Instituti i Shëndetit Publik rekomandon vaksinimin e të gjithë popullsisë dhe kjo vlen veçanërisht për të moshuarit (mbi 65 vjeç), fëmijët 6-59 muajsh, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe punonjësit e shëndetësisë”, theksohet në raport.