RMV, priten shira të rrëmbyeshëm dhe bubullima, QMK bëri thirrje për pastrimin e kanaleve nëpër qytete

Drejtoria për Punë Hidro-Meteorologjike (DPHM) paralajmëron se moti në ditët në vijim do të jetë i paqëndrueshëm me reshje të kohëpaskohshme të shiut, të cilët lokalisht do të jenë më të dendura dhe të rrëmbyeshme, të përcjella me bubullima, andaj Qendra për Menaxhim të Krizave (QMK) apelon që të ruhen dhe të pastrohen kanalet lokale dhe të mos hidhen mbeturina në to, transmeton Portalb.mk.

Nën ndikimin e aktivitetit ciklonik, pasditen e sotme (11 mars), gjatë natës dhe nesër (12 mars) do të mbajë mot i ndryshueshëm me vranësira, në disa vende jostabile me reshje shiu. Lokalisht mund të presim stuhi me reshje më të dendura dhe të rrëmbyeshme (mbi 20 l/m2), të përcjella me erë të fortë (mbi 70 km/h) dhe me bubullima.

Në Shkup sot pasdite, gjatë natës dhe të martën do të mbizotërojë mot i ndryshueshëm i vranët me reshje të kohëpaskohshme shiu. Në pjesë të luginës reshjet do të jenë të rrëmbyeshme, të përcjella me erë të fortë dhe bubullima.

“Të gjitha rastet emergjente duhet të raportohen në numrin e vetëm të urgjencës 112 në QMK, veçanërisht kur qytetarët kanë situata kërcënuese për jetën”, thonë nga QMK.