Besimtarët myslimanë agjërojnë sot ditën e parë të muajit Ramazan

Sot, besimtarët mysliman agjërojnë ditën e parë të muajit të shenjtë Ramazan. Praktikisht, ky muyj ky nisur që dje me perëndimin e diellit, duke nxitur vepra të mira, lutje dhe leximin e Kuranit, shpallja e të cilit filloi pikërisht në muajin e Ramazanit më shumë se 1400 vjet më parë, transmeton Portalb.mk.

Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit hënor mysliman, një muaj i bekuar dhe i shenjtë në të cilin besimtarët e besimit islam në mbarë botën agjërojnë gjatë orëve të ditës.

Qëllimi është të dilet nga Ramazani më i mirë, më i shëndetshëm, me mëkatet e falura.

Dita e parë e agjërimit është e sot më 11 mars dhe e fundit më 9 prill.

Ramazani është muaji i pastrimit të shpirtit, mendjes dhe trupit në të cilin muslimanët heqin dorë nga ushqimi, pijet dhe kënaqësitë e tjera trupore, nuk kryejnë veprime të pamoralshme dhe shmangin zemërimin.

Bamirësia është një pjesë shumë e rëndësishme e Islamit dhe është edhe më e rëndësishme gjatë Ramazanit kur muslimanëve u kujtohet bujaria dhe shtojnë aktivitetet e tyre bamirëse.

Çdo vit, Ramazani fillon 10 deri në 12 ditë më herët, sepse kalendari islamik është në fakt një kalendar hënor Hixhri ku muajt kanë 29 ose 30 ditë.

Meqenëse viti hënor është më i shkurtër se ai diellor për 11 ditë, në vitin 2030 do të ketë dy Ramazane – i pari do të fillojë më 5 janar dhe i dyti më 26 dhjetor.

Agjërimi përfundon me festën e Fitër Bajramit.

Me rastin e këtij muajit të shenjtë, kreu i BFI-së, Shaqir Fetahu dje uroi besimtarët myslimanë. Fetahu tha se në këtë muaj zbriti imperativi i madh i Zotit në librin e shenjtë, Kuranin, fjalët: “Lexo, mëso në emrin e Zotit tënd që krijoi gjithçka”. Fetahu thotë se vlera më e madhe e këtij muaji është agjërimi i ditëve të tij, ndërsa uron që besimtarët të kenë iman të paluhatshëm.

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. [El-Bekare, 183]

“Kam kënaqësinë e veçantë që me rastin e ardhjes të muajit të bekuar Ramazan, t’iu drejtohem të gjithë besimtarëve të vendit, kudo që gjenden ata dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë, me përgëzimet më të mira e të përzemërta, t`ua uroj fillimin e këtij muaji, i cili është muaji i paqes, i solidaritetit, i mirësive universale dhe i mëshirës hyjnore”, tha Fetahu.