RMV, Policia ka të dhëna nga pajisjet e shikuara elektronike që mund të ndihmojnë në hetimin e Vanjës

Për të pestën ditë policia është në kërkim të 14-vjeçares Vanja, e cila u zhduk të hënën rreth orës 07:30, derisa shkonte në shkollën “J. H. Pestalozzi” në qendër të Shkupit. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, nga pajisjet elektronike që janë parë në hetim, policia ka marrë të dhëna të dobishme që mund të ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti, transmeton Portalb.mk.

Siç tha Spasovski, janë shkarkuar dhe rishikuar më shumë se 50 kamera, të gjitha të dhënat nga operatorët e Telekomit që mund të jenë të rëndësishme, si dhe pajisje elektronike nga vajza dhe familja. Gjithashtu janë marrë në pyetje dhjetëra persona.

“Tashmë kemi të dhëna të caktuara nga këto pajisje elektronike që mund të jenë të dobishme për hetimin dhe gjithë këtë procedurë. Çdo ditë jemi në komunikim apo punë bashkë me prindërit dhe familjen”, tha ministri i Brendshëm.

Në ndërkohë është kontrolluar shtrati i lumit Vardar dhe të gjitha bodrumet, jo vetëm në zonën përreth, por edhe pak më gjerë.

“Bëhej fjalë për kërkim, pra marrjen e të dhënave dhe informacioneve nga kishat dhe manastiret që janë afër Shkupit, kështu që ka një aktivitet të gjerë dhe nuk do të ndalet me kaq. Jemi duke punuar intensivisht”, tha Spasovski.

Ai përkujtoi se është formuar një shtab i posaçëm i cili punon së bashku me prindërit dhe miqtë e vajzës së zhdukur dhe në hetim janë të përfshirë disa qindra policë të udhëhequr nga kreu i SPB Shkupi.

Sistemi “Save City” është plotësisht funksional, theksoi ministri dhe siç tha ai ofron një sërë mundësish, si lëvizjen e automjeteve, njohjen e targave dhe identifikimin e personave. Për herë të parë pas 30 vitesh, Njësia për fozrnzikë do të mund të kërkojë nga persona përveç kërkimeve me gjurmë gishtash.

Ministri shprehu mirënjohjen e tij ndaj mediave për informimin objektiv dhe për luftën kundër lajmeve të rreme që përhapen në media dhe në rrjetet sociale.

“Të gjitha profilet që publikojnë lajme të rreme janë zbuluar dhe të gjitha do të zbulohen dhe disa tashmë janë thirrur në stacion policor. Aty ku konstatohet se kërcënojnë sigurinë, gjegjësisht hetimin dhe kontribuojnë në dëmtim serioz të publikut, do të ndërmerren masa së bashku me prokurorin publik”, tha Spasovski.

Kujtojmë se ditën e zhdukjes (27 nëntor) ajo ka pasur veshur një bluzë blu, një xhaketë të zezë, xhinse të zeza me xhepa anash dhe atlete të bardha me vija kafe. Mbante me vete një çantë shpine shkolle dhe një celular iPhone.

Zhdukja e vajzës u raportua në polici të hënën në orën 08:35. Që atëherë, siç informojnë nga MPB-ja, kapacitetet e plota të SPB Shkup janë përfshirë në nivelin më të lartë, janë zhvilluar një sërë bisedash me persona të afërt me të miturën, janë kontrolluar kamerat.

Fotot e vajzës janë ngjitur në qendër të qytetit me shpresën se ndonjë kalimtarët do t’i kujtohet ndonjë informacion.

Në rrjetet sociale po përhapet një fotografi e Vanja Gjorçevskës me një mesazh të shkruar në gjuhën angleze drejtuar të gjithëve në Serbi, Kosovë, Shqipëri, Bullgari dhe Greqi dhe të gjithëve në botë, ku thuhet se vajza është zhdukur.

Rastin e ka bërë të ditur nëna e vajzës adoleshente përmes një postimi në rrjetet sociale. Sipas postimit të nënës së vajzës, 14-vjeçarja është larguar nga shtëpia për në shkollë në orën 07:20, pas së cilës ka humbur çdo gjurmë. Ajo është parë për herë të fundit në Debar Maalo teksa shkonte në shkollën “Johan Heinrich Pestalozzi”.