Teatër i Lavrovit në Shkup: Në vend se të përgjigjet, u grind me gazetarët

Rusia sot përmes konferencës për media të Sergej Lavrovit bëri teatër propagandistik në zemër të Shkupit, me qëllim që të lërë në hije ditën e fundit dhe konkluzionet e Këshillit Ministror të OSBE-së. Edhe para përfundimit të konferencës për shtyp të ministrit të tyre të Jashtëm, Ambasada ruse në Shkup publikoi një postim në Facebook duke portretizuar Lavrovin se nuk ishte i izoluar në Këshillin Ministror të OSBE-së, shkruan Portalb.mk.

“Konferenca për shtyp e ministrit Sergej Lavrov pas rezultateve të Këshillit Ministror të OSBE-së mes “izolimit”, thuhet me ironi në postimin e Ambasadës.

Edhe para se të fillonte vetë konferenca për shtyp, pati incizime të gazetarëve rusë nga salla e mbushur me njerëz, ku duhej të mbante fjalim ministri i Jashtëm rus. Televizioni shtetëror rus “Rusia” pati një telefonatë live nga vetë salla e shtypit dhe që në fillim të konferencës për shtyp u bë e ditur se prania e gazetarëve, fotoreporterëve dhe videografëve do të përdorej për qëllime propagandistike të Rusisë.

Më poshtë në video nga Portalb u kap momenti kur delegacioni rus i Lavrovit nuk lejon pyetje nga mediat kritike, por vetëm pyetje të porositura.

Pavarësisht se Ministria e Punëve të Jashtme ruse (MPJ) njoftoi para ardhjes së Lavrovit në OSBE se ka pasur interesim të madh nga shumë ministra për t’u takuar me të, faqja e MPJ-së ruse dje dhe sot është e pakët me informacione për takimet e Lavrovit me homologët e tij. Takime të tilla ai ka pasur vetëm me ministrat e jashtëm të Hungarisë, Armenisë dhe Kazakistanit, si dhe me kryetarin aktual dhe të ardhshëm të OSBE-së, Bujar Osmani dhe Ian Borg. Lavrov u bojkotua nga shumica dërrmuese e ministrave të jashtëm dhe nuk u prit në Shkup as nga kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe as nga presidenti Stevo Pendarovski.

Përshtypja e përgjithshme nga konferenca e shtypit e Lavrov është se preferenca iu dha mediave nga Rusia, si dhe atyre me politikë editoriale pro-ruse. Gazetarët e televizionit rus “Rusia”, agjencia ruse e lajmeve TASS, gazetat ruse Izvestiya dhe Komsomolska Pravda, Russia Today, gazeta serbe Politika dhe agjencia bullgare e lajmeve BG News arritën të bëjnë pyetje.

Edhe para fillimit të konferencës për shtyp, u bë e ditur se zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, është ajo që vendos se cili nga gazetarët do të lejohet t’i bëjë pyetje Sergej Lavrovit. Koordinimi u zhvillua në të gjithë sallën përballë ekipeve mediatike, pjesërisht me fotot e gazetarëve të pranishëm në sallë nga përfaqësuesit e delegacionit rus.

Maria Zakharova në Këshillin e 30-të Ministror të OSBE. Foto: Robert Atanasovski

Në ato raste kur Zakharova lejoi disa nga gazetarët t’i bënin pyetje kritike Sergej Lavrovit, ministri i Jashtëm rus u përgjigj me ton të ashpër, u dha mësime gazetarëve, i kritikoi ata se nuk e dinin historinë dhe përdorte teknika propagandistike të tipit Whataboutism.

“Keni boshllëk në njohuritë tuaja për historinë”, iu përgjigj Sergej Lavrov gazetarit maqedonas Bobi Hristov nga TV Telma kur u pyet se kush është hipokrit më i madh – Rusia apo Perëndimi në lidhje me çështjet aktuale të OSBE-së dhe Ukrainës.

I pyetur nga gazetarja Alexandra von Nachmen nga Deutsche Welle  nëse Rusia planifikon të largohet nga Organizata nëse nuk beson në të ardhmen e OSBE-së, ministri rus filloi të debatonte me gazetaren, në vend që t’i përgjigjej drejtpërdrejt pyetjes së saj.

Sergej Llavrov
Sergej Llavrov në Këshillin e 30-të Ministror të OSBE. Foto: Portalb.mk

Pas kësaj, Alexandra von Nachmen shkroi në Twitter:

“Shtypi i Lavrov në Shkup – humbje totale e kohës. Ankesa të rreme pa fund kundër Perëndimit, akuza të rreme kundër Ukrainës. Për shkak se e sfidova Maria Zakharova të kishte fjalën dhe jo vetëm mediat propagandistike, ajo më lejoi të bëj një pyetje – vetëm që Lavrov të më akuzonte se nuk jam gazetare e vërtetë dhe se raportoja vetëm atë që qeveria gjermane dëshiron që unë të bëj”, shkroi gazetarja e Deutsche Welle në Twitter.

I pyetur nga një gazetar i Frontline për ngjarjet me vrasjen e policit kosovar afër Banjskës në veri të Kosovës në shtator të këtij viti dhe për mundësinë që Serbia të jetë udhëzuar nga Rusia për të nisur një konflikt në Ballkan përmes Kosovës, Sergej Lavrov nuk dha përgjigje konkrete. Lavrov i shpjegoi gazetarit se nëse është përfaqësues i një media, duhet t’i përcjellë deklaratat ashtu siç janë.

Ndryshe, ministri rus i Punëve të Jashtme ka përsëritur se është indiferent ndaj seancave plenare që mbahen në kuadër të Këshillit Ministror të OSBE-së në Shkup.

Në të gjithë serinë e akuzave që dërgoi, Lavrov e quajti udhëheqjen ukrainase në konferencën për shtyp “regjimi i Kievit”, ndërsa vendi drejtohej nga “neo-nazistët”. Lavrov e quajti frikacakë shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe sekretarin amerikan të shtetit, Anthony Blinken, të cilët u larguan nga takimi me të.

Sa i përket Maqedonisë së Veriut, Lavrov tha se ajo është në listën e vendeve armiqësore për shkak të vendimeve të marra nga qeveria maqedonase dhe pikërisht për këtë arsye vendi është përfshirë në këtë listë, por edhe se kjo nuk vlen për popullin maqedonas.

Në ato momente kur disa nga gazetarët tentuan të anashkalojnë Maria Zakharovën dhe zgjedhjen e saj të gazetarëve që lejohen të bëjnë një pyetje, ndodhi një incident. Një kolegut bullgar që donte të bënte pyetje, iu hoq mikrofoni, pasi nuk ishte përzgjedhur nga zëdhënësja e MPJ-së ruse për të bërë pyetje.

Zëdhënësja e MPJ-së ruse, Maria Zakharova, në Telegram ka akuzuar gazetën “Sloboden Peçat” se nuk ka guxim të flasë për “manipulimet” amerikane. Gazetari i “Sloboden Peçat” nuk ka pasur rastin të bëjë pyetje për komentin e Zakharovës para fillimit të konferencës për media të Sergej Lavrovit, ndërsa gazeta “Sloboden Peçat” ka publikuar një reagim zyrtar ndaj akuzës së Zakharovës.

Maria Zakharova në Këshillin e 30-të Ministror të OSBE. Foto: Robert Atanasovski
Maria Zakharova në Këshillin e 30-të Ministror të OSBE. Foto: Robert Atanasovski

Ndryshe, pas përfundimit të konferencës për shtyp të ministrit të jashtëm rus, gazetarët nga Federata Ruse që erdhën me të në Këshillin e Ministrave në Shkup, së bashku me Lavrovin u nisën nga qendra sportive “Boris Trajkovski” me fluturim për në Moska.

Meqë gazetarët e Meta.mk dhe Portalb.mk nuk u lejuan nga zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse t’i bëjnë nga një pyetje ministrit të Jashtëm rus gjatë konferencës për media, ne vendosëm që pyetjet pa përgjigje t’i publikojmë këtu:

  1. A nuk mendoni se sjellja e misioneve tuaja diplomatike në Shkup dhe Sofje në rrjetet sociale e thellon edhe më shumë mosmarrëveshjen maqedono-bullgare? Sa herë që ka një përshkallëzim të mosmarrëveshjes, në rrjetet sociale zyrtare të misioneve tuaja diplomatike shfaqet përmbajtje që vendos njërën palë që irriton palën tjetër në mosmarrëveshje përmes retorikës që përdor terma si “pushtues fashistë”, “çlirim nga okupatori fashist”, pastaj duke uruar festat e përbashkëta vetëm nga njëra anë, edhe pse ato festa festohen në të dy vendet e kështu me radhë. A bëhet kjo me vetëdije dhe qëllim?
  2. Ju pëlqen shumë të citoni Volodymyr Zelensky në fjalimet tuaja, zotëri Lavrov. Në fakt, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha pak ditë më parë se Ukraina ka prova të synimit të Rusisë për të nisur një konflikt midis vendeve të Ballkanit dhe se ky duhet të jetë shpërqendrimi i dytë i vëmendjes së botës nga lufta në Ukrainë pasi tashmë filloi kriza në Lindjen e Mesme. A mund të na jepni një koment për këtë deklaratë të Zelenskit?