Nëna e Vanjës së zhdukur: Prej tre ditësh pyes veten pse pikërisht neve na ndodhi kjo?!

Zorica Gjorçevska, nëna e 14-vjeçares së zhdukur Vanja Gjorçevska, tashmë prej tre ditësh pret përgjigje se ku dhe si u zhduk vajza e saj, pasi të hënën rreth orës 07:20 u nis për në shkollën “Pestaloci”  dhe më pas humbi gjurmët. I gjithë publiku është në këmbë dhe apelet për kërkesën e nxënëses së klasës së nëntë po shpërndahen masivisht. Nga MPB nuk kanë ende informacione dhe thonë se janë në kërkim intensiv të vajzës. Ka shumë spekulime për zhdukjen e saj, por asnjë prej versioneve nuk është konfirmuar deri më tani nga autoritetet, transmeton Portalb.mk.

“Nuk më japin as përgjigje, në interes të hetimeve, por e di që policia është plotësisht e angazhuar. Edhe unë dy herë në ditë shkoj në stacion policor dhe besoj se do të arrijnë ta gjejnë fëmijën tim”, tha Gjorçevska për Meta.mk.

Ajo thotë se ka frikë të dyshojë në çfarëdo gjëje.

“Thjesht nuk e di, nuk mund të dyshoj, sepse ndjenjat e mia janë të përziera. Jeta e Vanjës ishte një libër i hapur për mua, ajo nuk fshihte asgjë. Por nuk e di, është fëmijë, nuk e di. Për tre ditë po pyes veten pse na ndodhi kjo, ne jemi një familje krejtësisht normale, Vanja ishte një nxënëse shembullore, e këndshme me të gjithë, nuk u fut kurrë në telashe. Shohim shumë spekulime që përhapen në opinion, hyjnë në jetën tonë dhe shumica e atyre gjërave nuk janë të vërteta”, thotë Gjorçevska.

Vajza është shpallur dje zyrtarisht është shpallur në faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi.

Në përshkrim thuhet se vajza ka flokë kafe të errët dhe sy kafe, mban proteza në dhëmbët e sipërm dhe të poshtëm dhe ka një nishan në anën e djathtë të fytyrës. Ajo është e gjatë 175 centimetra dhe peshon 58 kilogramë.

Vajza e zhdukur Vanja Gjorçevska nga Shkupi. Foto printscreen nga ueb-faqja e MPB-së
Vajza e zhdukur Vanja Gjorçevska nga Shkupi. Foto printscreen nga ueb-faqja e MPB-së

Në ditën e zhdukjes (27 nëntor) ajo ka pasur veshur një bluzë blu, një xhaketë të zezë, xhinse të zeza me xhepa anash dhe atlete të bardha me vija kafe. Mbante me vete një çantë shpine shkolle dhe një celular iPhone.

Zhdukja e vajzës u raportua në polici të hënën në orën 08:35. Që atëherë, siç informojnë nga MPB-ja, kapacitetet e plota të SPB Shkup janë përfshirë në nivelin më të lartë, janë zhvilluar një sërë bisedash me persona të afërt me të miturën, janë kontrolluar kamerat.

Ministria e Brendshme i kërkon publikut të mos përhapë dezinformata, duke theksuar se do të vazhdojnë të informojnë deri në gjetjen e të miturës.

Fotot e vajzës janë ngjitur në qendër të qytetit me shpresën se ndonjë kalimtarët do t’i kujtohet ndonjë informacion.

Në rrjetet sociale po përhapet një fotografi e Vanja Gjorçevskës me një mesazh të shkruar në gjuhën angleze drejtuar të gjithëve në Serbi, Kosovë, Shqipëri, Bullgari dhe Greqi dhe të gjithëve në botë, ku thuhet se vajza është zhdukur.

Vajza e zhdukur Vanja Gjorçevska nga Shkupi. Foto e publikuar në rrjetet sociale
Vajza e zhdukur Vanja Gjorçevska nga Shkupi. Foto e publikuar në rrjetet sociale

Rastin e ka bërë të ditur nëna e vajzës adoleshente përmes një postimi në rrjetet sociale. Sipas postimit të nënës së vajzës, 14-vjeçarja është larguar nga shtëpia për në shkollë në orën 07:20, pas së cilës ka humbur çdo gjurmë. Ajo është parë për herë të fundit në Debar Maalo teksa shkonte në shkollën “Johan Heinrich Pestalozzi”.