RMV, personi që plagosi tifozin bullgar kërkohet nga organet e rendit, Prokuroria shqiptoi masa kujdesi ndaj dy personave të tjerë

Prokuroria Themelore Publike Shkup sot ka dorëzuar në Gjykatën Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masave të sigurimit ndaj katër personave për të cilët është iniciuar procedura për pjesëmarrje në incidentin në qendrën tregtare “Çairçanka” në të cilin u lëndua një shtetas bullgar, transmeton Portalb.mk

Ekziston dyshimi i bazuar se persona të moshës 28 deri në 32 vjeç kanë marrë pjesë në përleshje fizike me tifozë të klubit bullgar të futbollit “Levski”, të cilët kanë kryer vepër penale – Dhunë sipas nenit 386 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.

Nga Prokuroria thonë se personi që është drejtpërdrejt përgjegjës për shkaktim të lëndimit të rëndë trupor ndaj shtetasit bullgar është identifikuar, mirëpo i njëjti ende nuk është privuar nga liria dhe i njëjti po kërkohet nga organet e rendit. 

“Prokurori publik propozoi disa masa kujdesi për të dyshuarit: obligim për paraqitje të herëpashershme te zyrtari i caktuar në Gjykatën Themelore Penale Shkup, konfiskim të përkohshëm të dokumenteve të udhëtimit, si dhe ndalim për vizitë të vendit të caktuar – ndeshjeve sportive. Është identifikuar personi i cili dyshohet se është përgjegjës direkt për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor shtetasit bullgar, por ende nuk është privuar nga liria dhe i njëjti po kërkohet”, thonë nga Prokuroria.

Kujtojmë se ngjarja ka ndodhur teksa tifozët e KF “Levski”, dy ditë më parë, me dy automjete me targa bullgare po lëviznin në afërsi të qendrës tregtare “Çairçanka”, ku janë konfliktuar verbalisht me kalimtarët dhe qytetarët.

“Tifozët bullgarë kanë ndaluar automjetet dhe kanë zbritur prej tyre, pas së cilës mosmarrëveshja verbale është shndërruar në përleshje fizike me një grup qytetarësh që kanë dalë nga objektet përreth. Gjatë kthimit në makinë, një shtetas bullgar 29-vjeçar ka mbetur i plagosur me një send të mprehtë në bark. Ai është konstatuar me lëndime të rënda trupore dhe është shtruar në spital. Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, ai është në gjendje stabile”, thuhej në njoftimin  Prokurorisë.