Spasovski: Janë identifikuar sulmuesit e tifozit bullgar që u godit me thikë

Edhe pse ndeshja e djeshme mes klubeve të futbollit Shkupi dhe Levski nga Sofja është vlerësuar si ndeshje me rrezikshmëri të lartë, në vetë ngjarjen nuk ka pasur incidente, por ato kanë ndodhur para saj, tha sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Përveç ngjarjeve në stadiumin “Todor Proeski”, ministri iu referua edhe incidentit me therjen me thikë të tifozit bullgar në Çair, transmeton Portalb.mk..

“Në fillim, me hyrjen në stadium, kishim një grup tifozësh nga Bullgaria, të cilët silleshin dhunshëm ndaj policisë. Janë arrestuar gjithsej 21 persona, 19 nga Bullgaria dhe dy tifozë nga Shkupi”, tha Spasovski.

Spasovski pretendon se tifozët bullgarë që kanë mbërritur të organizuar në pikën kufitare “Deve Bair” janë marrë prej andej dhe janë sjellë në stadium në kordon policor.

“Me gjasë kanë qenë disa vetura të cilat kanë ardhur krejtësisht të çorganizuara dhe kur kanë kaluar nëpër Çair, me një provokim të caktuar që kanë bërë, ka pasur konflikt gjatë të cilit e dini se kemi një person të lënduar. Aty janë identifikuar sulmuesit, kolegët aktualisht janë duke punuar, pres që shumë shpejt të kemi të gjitha informacionet në detaje, pas së cilës do t’ju informojmë”, tha ministri.

Paraprakisht, Prokuroria Themelore Publike në Shkup njoftoi se tifozët bullgarë, të cilët udhëtonin me dy vetura në afërsi të qendrës tregtare “Çairçanka”, fillimisht kanë rënë në një debat verbal me kalimtarët e rastit dhe qytetarët, i cili ka kaluar në përleshje fizike dhe ka përfunduar me goditja me thikë e një 29-vjeçari shtetas bullgar, i cili tashmë ndodhet në gjendje stabile.

Njohuritë fillestare të Prokurorisë janë se banorët e zonës të përfshirë në ngjarje nuk janë pjesë e ndonjë grupi tifozësh. Por kjo do të verifikohet.

Gjithsej 19 persona janë arrestuar dje për prishje të rendit dhe qetësisë publike para dhe gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve të KF “Shkupi” nga Shkupi dhe KF “Levski” nga Sofja.

Siç njoftoi MPB-ja, janë ndaluar 19 tifozë nga Republika e Bullgarisë. Nga këta, tetë persona janë ndaluar për dhunë në ndeshje sportive, dy persona për sulm fizik ndaj punonjësve të policisë që kryenin veprime zyrtare dhe nëntë për sjellje agresive ndaj tyre.

Pas dokumentimit të çështjes ndaj tyre do të dorëzohen parashtresat përkatëse.

Po ashtu, rreth mesnatës, zyrtartët e SPB Shkup kanë privuar dy tifozë të grupit të tifozëve të KF “Shkupi”, të cilët me përleshje fizike kanë shkelur rendin dhe qetësinë publike. Edhe këta persona janë ndaluar dhe do të përballen me parashtresat e parashikuara ligjërisht.

Nga MPB informojnë edhe për sulmin fizik mbi katë shtetas bbullgar. Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur dje në orën 18:38 në rrugën “Cvetan Dimov”, gjatë së cilës është përdorur edhe mjet i mprehtë, ndërsa shtetasi bullgar D.A. ka pësuar lëndime të rënda trupore.

“Pas masave dhe veprimeve të ndërmarra, është përcaktuar identiteti i shumicës së sulmuesve dhe është zbardhur rasti, pas së cilës do të ngrihet kallëzim”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

I plagosuri D.A. është transferuar në Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naum Ohrit” në Shkup dhe është në gjendje stabile.

Edhe Prokuroria Themelore Publike Shkup njoftoi se është njoftuar për ngjarjen dhe po lëshon të gjitha urdhrat dhe udhëzimet e nevojshme për identifikimin e personave që morën pjesë në incidentin në të cilin dje u lëndua një tifoz i klubit futbollistik Levski nga Sofja.

Sipas informacioneve fillestare, siç thuhet në komunikatën e PThP, ngjarja ka ndodhur teksa tifozët e KF “Levski” me dy automjete me targa bullgare po lëviznin në afërsi të qendrës tregtare “Çairçanka”, ku janë konfliktuar verbalisht me kalimtarët dhe qytetarët.

“Tifozët bullgarë kanë ndaluar automjetet dhe kanë zbritur prej tyre, pas së cilës mosmarrëveshja verbale është shndërruar në përleshje fizike me një grup qytetarësh që kanë dalë nga objektet përreth. Gjatë kthimit në makinë, një shtetas bullgar 29-vjeçar ka mbetur i plagosur me një send të mprehtë në bark. Ai është konstatuar me lëndime të rënda trupore dhe është shtruar në spital. Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, ai është në gjendje stabile”, thuhet në njoftim.

Me qëllim, siç bën me dije Prokuroria, konstatimin e identitetit të shtetasve pjesëmarrës në ngjarje dhe që sipas informacioneve fillestare nuk kanë qenë pjesë e një grupi të tifozëve vendas, si dhe të zbardhet plotësisht ngjarja, janë marrë gjurmë nga vendi i ngjarjes, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës. Gjithashtu, janë siguruar video incizimet nga ambientet përreth dhe nga kamerat e sistemit “Qyteti i sigurt”, si dhe po kryhen veprime të tjera.

Për pjesën tjetër të incidenteve që kanë të bëjnë me tifozët e KF “Levski” gjatë ditës së djeshme, Prokuroria është njoftuar se janë proceduar për kundërvajtje.